Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov sot u takua me nënkryetarin e Qeverisë së Republikës së Turqisë, Hakan Çaushogllu.

Dy bashkëbiseduesit shprehën kënaqësi nga marrëdhëniet politike mes dy vendeve, të cilat i karakterizon miqësia dhe partneriteti  tradicional dhe dinamika e jashtëzakonshme e aktiviteteve në sferat e interesit të përbashkët, kumtoi Kabineti i presidentit.

Në takim është biseduar për çështjet e brendshme politike të të dy vendeve, për gjendjet në rajon, si dhe për çështje të interesit të politikës së jashtme për Maqedoninë dhe Turqinë.

Lidhur me qëllimet strategjike dhe prioritetet, presidenti Ivanov theksoi se Maqedonia e çmon mbështetjen shumëvjeçare dhe parimore nga Turqia për integrimin e vendit në BE dhe në NATO, dhe tregoi se zhbllokimi i proceseve integruese do të reflektohet në stabilitetin dhe prosperitetin e tërë rajonit.

Çaushogllu theksoi se Turqia edhe më tutje do të jetë konsekuente në mbështetjen e integrimeve evropiane dhe euroatlantike të Maqedonisë.

Në kontekst të sfidave më të gjera me të cilat përballet rajoni dhe Evropa, presidenti i Maqedonisë dhe nënkryetari Çaushogllu u dakorduan për nevojën e një bashkëpunimi më të madh mes shërbimeve të sigurisë të Maqedonisë dhe Turqisë. Në atë drejtim, presidenti Ivanov theksoi për nevojën e këmbimit të informatave mes shërbimeve policore dhe shërbimeve për zbulim, ndërmarrje të aksioneve të përbashkëta, si dhe gjetje të mjeteve dhe metodave efektive për parandalim dhe luftë kundër përhapjes së ekstremizmit dhe terrorizmit të dhunshëm.

Dy bashkëbiseduesit e përshëndetën bashkëpunimin ekonomik, me pritje për intensifikimin e tij të mëtutjeshëm. Presidenti Ivanov u shprehi mirënjohje institucioneve turke, para së gjithash TIKA-s, për numër të madh të projekteve të realizuara në Maqedoni të karakterit humanitar dhe për mbështetje të tyre të vazhdueshme përmes donacioneve.

Në takim u këmbyen edhe mendime rreth mundësive për thellimin e bashkëpunimit në sferën e turizmit dhe arsimit, me ç’rast u përshëndet finalizimi i procedurave juridike për zbatim të plotë të Marrëveshjes për aktivitetet e qendrave kulturore në të dy vendet.