Thellimi i bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe mbështetja që e jep Banka Botërore, ishte temë e takimit që delegacioni qeveritar, në përbërje të të cilit është Koço Angjushev, zëvendëskryeministër i angazhuar për Çështje Ekonomike dhe Dragan Tevdovski, ministër i Financave, sot pasdite realizuan në Sofje me Kristalina Georgieva, drejtoreshë kryesore ekzekutive e Bankës botërore, e shoqëruar nga Siril Miller, nënkryetar i Bankës Botërore për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore dhe Linda Van Gelder, drejtoreshë rajonale për Ballkanin Perëndimor.

Nga shërbimi qeveritar për shtyp informojnë se delegacioni nga Qeveria e RM-së në takim e ka shprehur qëndrimin e fuqishëm të Qeverisë për intensifikim të projekteve infrastrukturore, si dhe për përmirësim të ndërlidhjes në pjesën e tregtisë, transportit dhe teknologjisë informatike.

Në takim është shprehur pajtueshmëri e përbashkët e të dy palëve se avancimi i bashkëpunimit në muajt e fundit do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Takimi i delegacionit të Qeverisë së RM-së me përfaqësuesit e Bankës Botërore në nivel më të lartë u mbajt në prag të Konferencës së nesërme ndërkombëtare në Sofje “Integrim më i fuqishëm rajonal i Ballkanit”, ku nikoqir është Banka Botërore dhe në të cilën do të marrin pjesë kryeministrat e Ballkanit Perëndimor, për çka sonte nga Brukseli në Sofje vjen edhe kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev.