Presidenti i Federatës Spanjolle, i pezulluar pas arrestimit në verë, Angel Maria Villar, deklaroi se kërcënimet e FIFA-s për përjashtimin e Spanjës nga Botërori “Rusi 2018”, janë serioze dhe për t’u konsideruar.

Ai theksoi se situata është mjaft e rëndë dhe se shkak për këtë është bërë sjellja e Këshillit të Shtetit, që kërkon të anulojë zgjedhjet në Federatë.

“Këshilli i Shtetit pretendon se Federata nuk po respekton ligjet dhe kërkon të anulojë zgjedhjet, por kjo është e papranueshme dhe e pabazuar në ligj. Nëse FIFA vendos të përjashtojë Spanjën nga Botërori, atëherë përgjegjësia bie e gjitha mbi shtetin. Mund të them se situata është mjaft e rëndë”, u shpreh Villar.

Mundësia e përjashtimit të Spanjës ka ngjallur shpresat edhe për Italinë, që u eliminua nga Suedia në “Play-off”, por që do të mund të shkonte në Rusi, si zëvendësuese e spanjollëve.