Qeveria spanjolle ka mbështetur Agjencinë e Ndihmës dhe Punës së OKB-së për Refugjatët e Palestinës (UNRWA) me 2 milionë euro, bëri të ditur agjencia të hënën, raporton Anadolu Agency (AA).

“Qeveria spanjolle, nëpërmjet Agjencisë Spanjolle të Bashkëpunimit Ndërkombëtar, ka siguruar 2 milionë euro për t’u përdorur në aktivitetet e UNRWA në sferat e mbrojtjes, shëndetit, ndihmës dhe shërbimeve sociale”, thuhet në njoftimin nga UNRWA.

Ndihma do të përdoret për më shumë se 5.3 milionë emigrantë palestinezë dhe për edukimin e mbi 500.000 fëmijëve në rajonet e aktivitetit të UNRWA, theksohet në njoftimin.

Javën e kaluar, agjencia u bëri thirrje partnerëve dhe donatorëve të saj që të vazhdojnë mbështetjen e tyre “derisa të gjendet një zgjidhje e drejtë dhe e qëndrueshme për mosmarrëveshjen Izrael-Palestinë”.

Sipas të dhënave nga UNRWA, qeveria spanjolle që nga viti 2007 ka siguruar gjithsej 94.4 milionë euro për agjencinë .

UNRWA, e cila në vitet e fundit ka luftuar me mungesat kronike të financimit, ofron shërbime arsimore dhe shëndetësore për më shumë se 5 milionë refugjatë palestinezë.