Spalletti beson se skuadra e tij është mirë, por momentalisht nuk e kanë fatin në anën e tyre.

Interi nuk fiton një 90-minutësh, që nga sfida me Cheivon, ku e bëri me rezultat të thellë 5-0, por Luciano Spalletti nuk e pranon kurrsesi, që skuadra e tij të jetë në krizë.

Në intervistën vetëm disa orë para sfidës së fundit të 2017-ës, me Lazion, tekniku zikaltër foli për momentin aktual të skuadrës, modulin, transferimet etj.

“Interi në krizë? Nuk besoj se ka krizë. Është e vërtetë që na kanë munguar rezultatet, por jo loja”, us hpreh ai.

“Nëse flasim për momente dobësie, veçoj vetëm sfidën me Pordenonen dhe pjesën e dytë me Udinesen. Nuk mund të pranoj se jemi në krizë, ndaj Sassuolos humbim 1-0, por krijojmë raste shënimi pafund”.

“Nuk mund të flasim për krizë, nëse humbim derbin 1-0 dhe eliminohemi, ndërkohë që i patëm mundësitë të shënonim dhe ta mbyllnim sfidën brenda 90-minutëshit. Mendoj që kemi të bëjmë me një moment mungese fati dhe disi edhe qetësie”, shtoi ai.

“Lazio? Është një skuadër që po zhvillon një kampionat të shkëlqyer, por të njëjtën gjë mund të them edhe për Interin, përderisa jemi sipër tyre në renditje. Nesër do të jetë një sfidë shumë interesante, por kam bindjen se do të arrijmë të marrim 3-pikët në këtë takim”.

“Moduli i lexueshëm? Është e vërtetë që loja jonë është e përqendruar kryesisht nga krahët dhe duhet të bëjmë më shumë për të sulmuar nga qendra. Por, ky është moduli më i mirë për futbollistët që kam. Gjithsesi, mendoj që mund të përmirësohemi më shumë, në lidhje me mënyrën se si e tentojnë golin”.