Pasi Komisioni Evropian e aktivizoi nenin shtatë kundër Polonisë për shkak të “rrezikut të qartë nga shkelja e rëndë e vlerave të Bashkimit Evropian” posaçërisht në sferën e qeverisjes së të drejtës, Sllovenia vlerëson se KE-ja duhet në mënyrë të njëjtë të veprojë edhe me Kroacinë për shkak të refuzimit të saj që ta pranojë marrëveshjen arbitrare për kufirin me Slloveninë.

Gazeta kroate “Novi list”, duke iu referuar burimeve diplomatike, theksoi se midis qarqeve politike sllovene edhe paraprakisht ka ekzistuar ideja për daljen e Kroacisë nga marrëveshja arbitrare për kufirin të prezantohet si shkelje sistematike e të drejtës ndërkombëtare, por ideja nuk është aprovuar nga ana e Brukselit.

Ministri slloven i Punëve të Jashtme, Karl Erjavec në korrik, ka dërguar letër deri te Komisioni Evropian ku ka theksuar se për shkak të mosrespektimit të vendimit të gjykatës së arbitrazhit nga ana e Kroacisë, kërkon intervenim të KE-së njëjtë si edhe në rastin me Poloninë.

Erjavec ka theksuar se rasti me Kroacinë është edhe më i vështirë për shkak se në rastin me Poloninë bëhet fjalë për problem të brendshëm, ndërsa me Zagrebin për problem ndërkombëtar.