Të paktën 12 civilë e kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve ajrore të ndërmarra në Idlib, që është një nga zonat të deeskalimit nën kontrollin e opozitarëve në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas informacioneve të marra të gazetarit të AA-së nga Mbrojtja Civile (Helmetat e Bardha), bëhet e ditur se rajonet periferike Temanije, Bidama si dhe fshatrat Sirman, Myshejrife, Sikejkat, Babulijn, Han es Subul, Darusselam dhe Maar Shurin të cilat janë nën kontrollin e opozitarëve dhe grupeve ushtarake kundër regjimit, ishin cak i një numri të madh të sulmeve ajrore dhe tokësore.

Mustafa Haxh Jusuf, drejtori i Mbrojtjes Civile në Idlib, deklaroi se 11 persona humbën jetën në fshatrat Sërman, Mushejrife, Sikejkat dhe Babulijn dhe se një person humbi jetën në Temanije.

“Avionët luftarakë të Rusisë dhe të regjimit të Asadit që nga mëngjesi i ditës së sotme kanë kryer sulme intensive mbi vendbanimet me civilë. Vetëm në zonën e Temanies ka pasur më shumë se 10 sulme me avionë dhe më shumë se 150 sulme me raketa. Gjithashtu, po përdoren dhe bombat vakum të cilat sipas marrëveshjeve ndërkombëtare janë të ndaluara”, tha Jusuf.

Jusuf theksoi se janë të shqetësuar për rritjen e numrit të të vdekurve dhe të të plagosurve dhe se Mbrojta Civile vazhdon operacionet për kërkime dhe shpëtim.

Nga sulmet ajrore të kryera nga fillimi i javës mbi provincat Idlib dhe Hama të Sirisë, humbën jetën 24 civilë.

Idlibi i cili është një nga rajonet që është përballur më së shumti me sulmet ajrore në luftën civile që ka nisur në mars 2011, në takimin në Astana më 14-15 shtator 2017, nga Turqia, Rusia dhe Irani u përfshi në mesin e zonave të deeskalimit.