Si pasojë e mbi 70 sulmeve ajrore të regjimit të forcave të Bashar Al-Asadit, në Idlib, që gjendet në mesin e zonave jokonfliktuale në Siri, kanë humbur jetën të paktën 7 civilë, raporton Anadolu Agency (AA).

Forcat e regjimit kanë kryer sulme ajrore të njëpasnjëshme në shumë vendbanime të Idlibit si dhe në Hama.

Mustafa Haxh Jusuf, Drejtori i Mbrojtjes Civile të Idlibit (Helmetat e Bardhë), në një deklaratë për AA tha se, “Avionët luftarak rusë dhe të regjimit të Asadit kanë kryer më shumë se 70 sulme ajrore në pjesët jugore të Idlibit dhe veriore në Hama”.

Ai theksoi se në sulmet e kryera që nga mëngjesi kanë humbur jetën të paktën 7 civilë, prej të cilëve 2 gra dhe 2 fëmijë. Ekipet e Mbrojtjes civile vazhdojnë punimet e kërkim shpëtimit.

Idlibi, rajoni që më së shumti ishte shënjestër i sulmeve ajrore në luftën e brendshme që filloi në mars të vitit 2011, në mbledhjen e Astana më 14-15 shtator 2017 ishte shpallur në mesin e zonave jokonfliktuale nga Turqia, Rusia dhe Irani.