Me t’u numëruar njëqind për qind të votave në Istog, ka nisur festa e qytetarëve të atjeshëm kur u dha lajmi se kandidati i AAK-së për të parin e kësaj komune kishte arritur të dal fitues i këtyre zgjedhjeve.

Numër i madh i qytetarëve për orë të tëra shiheshin teksa po i afroheshin Dreshajt e po shkrepnin ‘selfie’ me të, e disa nuk ngurronin ta kapnin ngryk e ta përqafonin.

Siç dimë të bëjmë vetëm ne për zgjedhje, as në Istog nuk munguan daullet e surlet, shkruan GazetaBlic.

Kamera e KosovaPress e cila po transmeton qe disa kohë drejtpërdrejt, ka kapur në një moment nga afër tupanin e njërit prej tupanxhinjve, ku shiheshin dy kartëmonedha me vlerë nga 500 euro, një tjetër në vlerë 100 euro, e mbi të një tjetër në vlerë 10 euro.

Siç duket kjo fitore e Dreshajt ka qenë një natë me fat për ta, pasi që një shumë e tillë e parave kërkon shumë mund për t’u fituar.

Rezultatet preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, e kanë nxjerrë fitues Gani Dreshajn e AAK-së me 52 vota më shumë se kundër kandidati i tij nga radhët e LDK-së, Haki Rugova.