Në Kajro është zhvilluar takimi i jashtëzakonshëm i Ligës Arabe, në të cilin shefat e diplomacive të shteteve anëtare kritikuan vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

Kryesuesi i Ligës i bëri thirrje shteteve të botës që ta njohin shtetin e Palestinës, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet të saj.

Kryesuesi i Ligës Arabe, Ahmed Abu Gejt, në takimin që u zhvillua gjatë fundjavës, ftoi shtetet e botës që të njohin pavarësinë e Palestinës, si kundërpërgjigje ndaj vendimit të Trumpit.

Sipas tij, ky vendim i Trumpit vë në pikëpyetje rolin e Uashingtonit si ndërmjetësues për vendosjen e paqes jo vetëm në Lindjen e Afërt, por në të gjithë botën, raportuan agjencitë e lajmeve.

Ministri i Jashtëm i Libanit, Gibran Bazil, e cilësoi vendimin e Trumpit si fatkeqësi dhe theksoi se ky vendim duhet ti zgjoi nga gjumi dhe të bashkoi shtetet arabe.

Në anën tjetër, ministri i Jashtëm i Izraelit, Avigdor Liberman, bëri thirrje për bojkotimin e prodhimeve arabe në rajonet, në të cilat banorët morën pjesë në protestat e dhunshme për shkak të vendimit të Trumpit për Jerusalemin.

Liberman, përndryshe kryetar i partisë nacionaliste Izraeli atdheu ynë, tha se arabët nga Vadi Are, në veri të Izraelit, nuk janë pjesë e vendit dhe se hebrenjtë nuk duhet të shkojnë më në fshatrat e tyre për të blerë prodhime nga ta.

Pas vendimit të Trumpit, protesta pati në shumë qytete në Bregun Perëndimor, në Jerusalemin Lindor dhe në Gazë, territore këto të cilat Izraeli i pushtoi pas luftës në vitin 1967 dhe në të cilat palestinezët dëshirojnë të ndërtojnë shtetin e tyre të pavarur. Së paku katër palestinezë janë vrarë si pasojë e sulmeve ajrore të Izraelit, të cilat u ndërmorën pas sulmeve me raketa nga territori i Gazës në drejtim të Izraelit.

Protesta sot pati edhe para ambasadës amerikane në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, ku shpërthyen përleshje, pasi që protestuesit pro-palestinezë tentuan të hyjnë në ndërtesën e ambasadës. Policia përdori gazin lotsjellës dhe topat e ujit, me qëllim që të ndal protestuesit.

Mbi 10 mijë persona u tubuan edhe para ambasadës amerikane në kryeqytetin e Indonezisë, Xhakartë, për të protestuar kundër vendimit të Trumpit.