Nga Abdulla Mehmeti

Nëse politikanët shqiptarë për 27 vjet arritën ta degradojnë statusin e popullit shqiptar në pakicë kombëtare, flamurin shqiptar ta zvogëlojnë për 1/3, të përdoret vetëm në qytetet dhe vendbanimet me mbi 50% të popullsisë shqiptare, ndërsa gjuha shqipe (si gjuhë e qytetarëve 20%) të përdoret si gjuhë e dytë (gjuhë përkthimi nga maqedonishtja, jo zyrtare) në nivel të pushtetit vendor (komuna).

Sipas kësaj logjike, në 27 vitet e ardhshme, statusi juridik-kushtetues i shqiptarëve mund të avancohet në ,,pakicë e konsiderueshme”, përdorimi i gjuhës shqipe të zgjerohet në nivel rajonal dhe disa institucione qendrore të shtetit, me të cilën do të mund të shërbehen vetëm të ,,zgjedhurit e popullit” sa për formalitet, jo edhe qytetarët e zakonshëm për nevoja të domosdoshme para institucioneve dhe organeve të pushtetit, ndërsa flamurin e tyre kombëtar, shqiptarët do të mund ta përdorin pak më lirisht edhe në komunat dhe vendbanimet ku ata do të përbëjnë mbi 20% të popullsisë, por me të njëjtën madhësi të përçudnuar të këtij simboli kombëtar, identitar.

Kështu edhe në të ardhmen, në 27 vitet tjera të radhës, nëse do të mbetet dikush gjallë nga gjenerata e sotme, për ta kuptuar pas një gjysmë shekulli se çka domethënë strategji sllave, e çfarë kuptimi kanë fjalët: mashtrim, demagogji, mercenarizëm, tradhti! Por, atëherë nuk do të jenë gjallë politikanët e sotëm, ndërsa populli do t’i vuaj pasojat.

Për shtetin ligjor, ekonominë, zhvillimin, investimet, arsimin, shëndetësinë, kulturën etj., as që ka çarë kokën dikush nga politika e shqiptarëve, së paku deri më sot.

Ne vetë kemi lejuar dhe lejojmë që kjo të jetë historia jonë e ,,lavdishme”, prandaj nuk kemi të drejtë as t’u hidhërohemi gjeneratave të reja që e braktisin me shumicë dhe kaq lehtësisht vendlindjen, duke i pshurrë bëmat tona ,,heroike” të derisotme!

A keni shtëpitë tuaja, o mjeranë? Ikni sa më parë nga skena politike, turpi ju mbuloftë siç ju ka mbuluar!