Komisioni Europian kërkon përgjegjësi nga qytetarët dhe autoritetet e vendeve të Ballkanit Perëndimor në raport me lëvizjen e lirë.

Delegacioni i BE-së ka publikuar ?ështjet kryesore nga raportimi i Komisionit para Parlamentit Europian dhe Këshillit Europian për funksionimin e regjimit pa viza me vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia si edhe me vendet e Partneritetit Lindor – Moldavia, Gjeorgjia dhe Ukraina, delegacioni i BE-së në Tiranë vuri në dukje se Komisioni Europian thekson se kërkon përgjegjësi nga qytetarët dhe autoritetet e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Komisioni raporton për përmbushjen e vazhdueshme të standardeve për liberalizimin e vizave nga vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia), si dhe nga vendet e Partneritetit Lindor (Moldavia, Gjeorgjia dhe Ukraina). Raporti tregon se, ndërsa kërkesat për liberalizimin e vizave për vendet në fjalë vazhdojnë të përmbushen, kërkohet veprim në një numër fushash specifike për të ruajtur zbatimin e tyre të qëndrueshëm.

Dimitris Avramopoulos, Komisioner për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, u shpreh se jemi plotësisht të përkushtuar për të ruajtur udhëtimin pa viza për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të Partneritetit Lindor dhe po punojmë së bashku me qeveritë e tyre drejt këtij qëllimi.

Por, shtoi se garantimi i kësaj shoqërohet me përgjegjësi, si për qytetarët ashtu dhe për autoritetet përkatëse.

“Ndërkohë që i njohim përpjekjet e këtyre vendeve për të siguruar që progresi i bërë është i qëndrueshëm dhe që reformat të vazhdojnë të japin rezultate konkrete, nevojitet punë e mëtejshme. Ne presim që të gjitha vendet të rritin përpjekjet e tyre për të trajtuar migracionin e parregullt dhe për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në veçanti”, tha ai.

Përpjekjet për ta frenuar migrimin e parregullt po japin rezultate

Masat që të tetë vendet kanë vazhduar të marrin për të trajtuar migracionin e parregullt po japin rezultate. Këto përpjekje kanë rezultuar me një rënie të konsiderueshme të përgjithshme të numrit të kërkesave për azil të bëra në Shtetet Anëtare të BE-së nga qytetarët e vendeve në fjalë. Megjithatë, sfidat ende vazhdojnë, veçanërisht në Shqipëri, vendi me numrin më të madh të aplikimeve të pabazuara për azil mes shteteve pa viza. Autoritetet shqiptare kanë qenë aktive për forcimin e masave për të trajtuar migracionin e parregullt dhe për përmirësimin e bashkëpunimit me Shtetet Anëtare më të prekura. Këto përpjekje po japin tashmë rezultate, por përpjekjet duhen mbështetur për të siguruar që zbatimi të vazhdojë i pandërprerë. Me një numër të ndryshueshëm refuzimesh të hyrjes dhe qëndrimesh të parregullta, Komisioni u bën thirrje të gjitha vendeve të interesuara që të ndërmarrin veprime specifike, duke filluar nga forcimi i kontrolleve kufitare deri tek organizimi i fushatave informuese për udhëtimin pa viza.

Bashkëpunimi për riatdhesimin vazhdon normalisht për të gjitha vendet pa viza të Ballkanit Perëndimor dhe të Partneritetit Lindor me përqindje të përgjithshme të larta të kthimit. Për të përmirësuar më tej bashkëpunimin për kthimin, Komisioni u bën thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të vazhdojnë zbatimin efektiv të marrëveshjeve të riatdhesimit dhe po të jetë e nevojshme, të përfundojnë protokolle zbatuese me Shtete Anëtare shtesë.

Nevojitet më shumë punë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar

Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme për të parandaluar dhe luftuar krimin e organizuar, grupe kriminale nga vendet pa viza në fjalë janë ende aktive përmes një gamë të gjerë veprimtarish kriminale në BE, duke përfshirë trafikimin e qenieve njerëzore dhe të mallrave të paligjshme, krimin ndaj pronës, kontrabandën e migrantëve dhe krimin kibernetik. Të tetë vendet duhet t’i shtojnë veprimet e tyre për ta trajtuar më tej çështjen e krimit të organizuar.

Sa i përket parandalimit dhe luftës kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave, Moldavia në veçanti duhet të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të siguruar zbatimin e vazhdueshëm të këtij standardi për liberalizimin e vizave dhe qëndrueshmërinë e reformave të kryera deri më tani. Duke pasur parasysh zhvillimet e fundit, Ukraina gjithashtu duhet të marrë masa të menjëhershme për të mbrojtur masat anti-korrupsion të paraqitura me reformat e mëparshme, si dhe për të lejuar që të bëhet përparim i mëtejshëm.

Komisioni do t’i raportojë përsëri Parlamentit Evropian dhe Këshillit për përmbushjen e vazhdueshme të kërkesave për liberalizimin e vizave në vitin 2018.

Të dhëna

Raporti i sotëm pason detyrimin ligjor të Komisionit në kuadrin e mekanizmit të forcuar të pezullimit të vizave, i miratuar në mars 2017, për të monitoruar përmbushjen e vazhdueshme të kërkesave për liberalizimin e vizave nga vendet jo-anëtare të BE-së, si dhe për t’i raportuar mbi këto çështje Parlamentit Evropian dhe Këshillit, të paktën një herë në vit.

Vlerësimi i standardeve të liberalizimit të vizave zbatohet për vendet që kanë përfunduar me sukses dialogun e liberalizimit të vizave, sipas planeve të veprimit dhe udhërrëfyesve përkatës, pra vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ato të Partneritetit Lindor.

Për vendet e Ballkanit Perëndimor, raporti i ri zëvendëson raportet e mëparshme të monitorimit pas liberalizimit të vizave dhe mbulon periudhën që nga raporti i fundit i tillë i shkurtit të vitit 2015. Për vendet e Partneritetit Lindor, raporti mbulon periudhën që prej Progres raporteve përfundimtare për liberalizimin e vizave të miratuara në dhjetor 2013 për Moldavinë dhe në dhjetor 2015 për Gjeorgjinë dhe Ukrainën.

Qytetarët e Malit të Zi, Serbisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë mund të udhëtojnë në BE pa vizë që nga dhjetori 2009. Për qytetarët e Shqipërisë dhe të Bosnje dhe Hercegovinës, kjo është e mundur që nga fundi i vitit 2010. Për Republikën e Moldavisë udhëtimi pa viza hyri në fuqi në prill 2014, për Gjeorgjinë në mars 2017 dhe për Ukrainën në qershor 2017.