Një shpërthim tritoli ka ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Pjeçë të Dibrës. Sipas policisë lënda plasëse, në sasi të vogël, ishte vendosur brenda rrethimit të shtëpisë së një personi me inicialet Z.S.

Për fat të mirë nga shpërthimi nuk ka persona të lënduar, ndërsa është dëmtuar pjesërisht një automjet tip “BMW X5”. Për momentin nuk dihen ende rrethanat e kësaj ngjarje, ndërsa policia po punon për zbardhjen e plotë të saj.

Policia bën me dije se: Rreth orës 20,15 minuta në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, ka ardhur një telefonatë së në fshatin Pjeçë, është dëgjuar një shpërthim.

Menjëherë kanë shkuar shërbimet e Policisë së Komisariatit Dibër, dhe grupi hetimor ku kanë konstatuar se:

Në fshatin Pjeçë, njësia Administrative Melan, brenda rrethimit të banesës së shtetasit Z.S,është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lënde plasëse.

Si pasojë e këtij shpërthimi nuk ka asnjë person të lënduar, por vetëm dëme të vogla materiale ku është dëmtuar pjesërisht automjeti tip “BMW X5”, në pronësi të shtetasit Y.T. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorit të gatshëm ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.