Është të paktën një i vdekur dhe 18 të plagosur bilanci i një shpërthimi të ndodhur në një impiant të shpërndarjes së gazit në Baumgarten an der March, në Austri.

“Pas shpërthimit ka rënë një zjarr, por situata është nën kontroll”, – ka thënë zëdhënësi i policisë, Edmund Tragschiz.

Sipas Kryqit të Kuq, të plagosurit janë 18. Autoritetet kanë izoluar zonën e asaj që konsiderohet të jetë stacioni më i madh i shpërndarjes së gazit austriak.

Në fotografitë e publikuara nga Kryqi i Kuq, duket një valë e madhe tymi. Në vendngjarje kanë mbërritur zjarrfikësit dhe personeli i emergjencës.

Terminali i Baumgartenit është pika kryesore për shpërndarjen e gazit që vjen në Austri nga Rusia dhe Norvegjia.

Me një kapacitet prej 40 mld metrash kub, infrastruktura është përuruar në vitin 1959 dhe është një nga pikat kryesore të furnizimit me gaz në Europën Qendrore.