Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi sot morri pjesë në veprimtarinë tradicionale të dedikuar për sipërmarrësit më të suksesshëm për vitin 2017, në kategoritë e ndërmarrjeve mikro dhe të vogla.

Ministri Bekteshi gjatë paraqitjes së tij tha se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë shumë të rëndësishme në gjenerimin e rritjes ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

‘Për këto arsye, Ministria e Ekonomisë,  në kuadër të programit vjetor për konkurrencë, inovacion dhe sipërmarrje, zbaton masa dhe aktivitete që synojnë krijimin e një mjedisi mbështetës për hapjen dhe forcimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme dhe zejeve, si dhe zhvillimin dhe përmirësimin e infrastrukturës institucionale për të mbështetur biznesin dhe forcimin e frymës sipërmarrëse’ tha ministri Bekteshi.

Ministri Bekteshi informoi se këtë vit nga ky program finansiarisht janë përkrahur 89 kompani,  23 zejtarë dhe 30 projekte të  fondacioneve, organizatave joqeveritare dhe oda të zejtarëve , të cilët kanë aplikuar dhe kanë përmbushur kërkesat. Ai parajamëroi mbështetje direkte për subjektet e biznesit për vitin e ardhshëm, që do të hapë mundësinë që ndërmarrësit të marrin më shumë stimuj financiarë për realizimin e aktiviteteve të tyre të biznesit.

Ngjarja “Sipërmarrësi i Vitit”, që mbahet për herë të 11-të, është rezultat i bashkëpunimit të suksesshëm midis organizatorëve, të cilët janë përfaqësues të komunitetit të biznesit, organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve shtetërore e të qeverisë, dhe synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e sipërmarrje në vendin tonë.

Në emër të Fondacionit Maqedonas për Zhvillimin e Ndërmarrjeve, para të pranishmëve u paraqit Drejtorja e përgjithshme Tetiana Lazarevska.

“Zgjedhja e më të suksesshëmve këtë vit ishte me të vërtetë e vështirë, sepse ne zgjedhim më të mirën ndër 57 ndërmarrje, nga të cilat 40 janë të vogla dhe 17 janë mikro ndërmarrje. Këto sipërmarrës së bashku në 3 vitet e mëparshme kanë realizuar të ardhura mbi 50 milionë euro, që do të thotë një rritje nga prej 30 në 50 milionë euro dhe në vitin e fundit kanë investuar mbi 7 milionë euro për zhvillimin e bizneseve të tyre”, tha Lazarevska.

Lidhja e odave ekonomike të Maqedonisë është një nga organizatorët e këtij eventi. Kryetarja e saj, Daniela Arsovska i kushtoi vëmendje të veçantë nevojës për të mbështetur sipërmarrësit: “Në fund të gjitha këtyre përvojave të hidhura që kemi pasur në tre vitet e fundit, unë mendoj se këto janë njerëz trima që në një kohë me kaq shumë sfida menaxhuan të mbijetojnë, të kenë suksese kaq të mëdha që të mund të gjenden në këtë kategori. Nga përvoja e promovimit të ndërmarrësve, jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe në nivel global, atë që të tjerët thonë për ne është se Maqedonia është një vend i njerëzve të zgjuar dhe ide të mira”, tha Arsovska.

Oda ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore që nga themelimi në vitin 2005-së, ka kontribuar shumë në përmirësimin e klimës së biznesit dhe lehtësimin e mjedisit të biznesit në vend.

Kryetari i saj Nebi Hoxha në fjalën e tij vuri në dukje se të rinjtë në vend përballen me pengesa administrative dhe profesionale gjatë regjistrimit të kompanive. “Kjo rezulton në më pak kërkesa për hapjen e bizneseve, prandaj, perceptimi se biznesi është i vështirë dhe problematik duhet të ndryshojë”, tha Hoxha.

Për sipërmarrës më të suksesshëm të ndërmarrjeve të vogla, në manifestimin tradicional “Sipërmarrësi i Vitit” të organizuar nga Lidhja e odave ekonomike të Maqedonisë, Fondacioni maqedonas për zhvillimin e ndërmarrjeve, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore dhe Qendra Kombëtare për Zhvillimin e Inovacionit dhe mësimit sipërmarrës, nën kujdesin e Ministrisë së Ekonomisë, u shpallën Zharko Dimitrioski nga Agjencia e marketingut “Një në Një” nga Shkupi, ndërsa më i mirë në mesin e bizneseve mikro Bardhyl Shabani nga “Link Shped” nga Tetova.

 Vendin e dytë në kategorinë e ndërmarrjeve mikro e morri Borçe Nikolov nga kompania “Aerus” nga Probishtipi, dhe vendin e dytë nga ndërmarrjet e vogla e mri kompania “Siloter” nga Strumica. Zgjedhja e sipërmarrësve më të suksesshëm në vitin 2017 është bërë në bazë të kritereve të paracaktuara të performancës.