Në organizim të një grupi studentësh turq që studiojnë në Maqedoni, para xhamisë Murat Pasha në Çarshinë e Vjetër të Shkupit u mbajt tubim kundër vendimit të presidentit të SHBA-ve Donald Trump për Jerusalemin, raporton Anadolu Agency (AA).

Grupi i studentëve të cilët mbanin pankarta në mbështetje të popullit palestinez dhe në kundërshtim të politikave të Izraelit dhe SHBA-ve, u mbështetën edhe nga qytetarë të Shkupit. Në mesazhin e tubimit, i cili u lexua në gjuhën shqipe, maqedonase dhe turke, u theksua se “vëllezërit dhe motrat palestineze gjithmonë do të kenë mbështetjen në mbrojtjen e qytetit islam, Kuds”.

Hasan Rexhepi, student i Fakultetit të Shkencave Islame – Shkup, i cili lexoi mesazhin në gjuhën shqipe, tha se Kudsi nuk është i rëndësishëm vetëm për palestinezët, por ai është një qytet i rëndësishëm për të gjithë muslimanët në mbarë botën.

“Asnjë vendi të huaj nuk i lejojmë të marrë vendim për qytetin tonë, Kudsin. Si ummet, kurrë nuk do të heshtim ndaj kësaj padrejtësie. Kudsi është i muslimanëve dhe ky është vendim i Allahut Fuqiplotë. Kudsit ka kush i del zot. Deri sa të jemi ne gjallë, Kudsi kurrë nuk do të bie. Kudsi është çështje besimi, e jo gjeografie. Kudsi është drita e syve tanë dhe nderi i muslimanëve. Oj kibla ime e parë, nëse ti nuk je e qetë, as ne nuk jemi”, porositi Rexhepi.

Duke rikujtuar se Profeti Muhamedi (a.s) për një periudhë të gjatë është falur në drejtim të xhamisë Al-Aksa, Rexhepi tha se “ky vend të jetë nën pushtim është një poshtërim për tërë Ummetin”.

Kujtojmë se të mërkurën, Trump deklaroi se ka ardhur koha ta njohin Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe paralajmëroi zhvendosjen e ambasadës amerikane në këtë qytet, edhe pse rezoluta 478 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) në vitin 1980 nuk e njeh aneksimin e Jerusalemit dhe shpalljen e tij si kryeqytet.