Batutat e tipit “1000-lekëshi është i barabartë me dy 500- lekësha”; “Në verë bëhet vapë”, “Ai që është i varfër, nuk është i pasur” janë vetëm disa “thënie” në rrjetet sociale të cilat kanë për “autor” Nard Ndokën.

Por, natyrisht, ndërsa të gjithë qeshin e argëtohen me batutat e tij në rrjetet sociale, për vetë Ndokën, ka edhe një moment kur teprohet. Por ai nuk e ka marrë asnjëherë seriozisht, pavarësisht situatave serioze me të cilat mund të jetë ndeshur.

I ftuar sot së bashku me Kozetën, bashkëshorten e tij, në “Pasdite në Top Channel”, Ndoka ka ndarë me publikun edhe një pjesë të jetës familjare. Baba i katër fëmijëve dhe gjysh me nip e mbesë, Ndoka tregon se ndihet shumë i lumtur pranë familjes, që për të është gjëja më e shenjtë.

Por nuk ka lënë mënjanë edhe “famën” e batutave, e cila tashmë e shoqëron kudo, madje edhe në sallën e parlamentit. I pyetur si e ndien veten kur e lexon emrin gjithandej si “autor” i këtyre thënieve, Ndoka tregon se ai është natyrë që karakterizohet nga humori, ndaj argëtohet edhe vetë kur lexon a dëgjon thënie të tilla: “Unë jam natyrë me humor, batutat janë pjesë e imja, madje edhe në pjesën politike. Edhe në parlament, kjo puna e batutave më përmendet më shpesh, aq sa ndonjëherë më duket sikur më shumë më njohin përmes batutave”,– rrëfen Ndoka.

Por, sigurisht, jo rrallëherë është tepruar, aq sa janë mbledhur të gjitha thëniet popullore dhe janë vendosur në gojën e tij: “Në fakt edhe është abuzuar, janë mbledhur edhe batutat popullore dhe janë vendosur në gojën time. Por i kam marrë me sportivitet, pavarësisht se edhe disa thënie folklorike janë në gojën time…” – thotë duke qeshur Ndoka.

Megjithëse është ndër politikanët më të paqtë që njohim, edhe për Nardin, si për të gjithë, abuzimet nuk kanë qenë të pakta. Përmes ekranit, ai falënderon publikisht bashkëshorten e tij dhe familjen që gjithmonë janë treguar mirëkuptues për profesionin e tij.