Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska prej sot po qëndron për vizitë disaditëshe pune në Mbretërinë e Bashkuar ku do të ketë takime me sekretarin britanik të Mbrojtjes, Gavin Uilliamson dhe me ser Alan Dankan, ministër për Evropë dhe Amerikë.

Siç kumtuan nga Minsitria e Mbrojtjes e RM-së, Shekerinska do të ketë fjalim në Këshillin Evropian për punë të jashtme me temë “Maqedonia dhe NATO”.

Ajo do t’i vizitojë edhe institucionet më të larta ushtarako-arsimore në Britaninë e Madhe – Akademinë për mbrojtje dhe Akademinë mbretërore ushtarake “Sendhërst”, ku njëri nga të diplomuarit është kadeti i diplomuar nga Maqedonia, Millosh Trendevski i cili e përfundon Akademinë me rezultate më të larta. Të premten Shekerinska do të marrë pjesë edhe në parakalimin ceremonial për nder të diplomimit të kadetëve të akademisë “Sendhërst”.

Në kuadër të vizitës, ministrja Shekerinska do ta vizitojë edhe Kolexhin mbretëror për studime mbrojtëse, dhe do të japë intervista për BBC dhe Gardian.