Shefi i Shtatmadhorisë së forcave të armatosura ruse e akuzoi SHBA-në se trajnojnë ish-luftëtarë të “Shtetit Islamik” në Siri dhe se tentojnë ta destabilizojnë vendin.

Pohimet e gjeneralit Valerij Gerasimov, të dhëna në intervistën për gazetën “Komsomollskaja pravda”, kanë të bëjnë me bazën amerikane ushtarake tek vendkalimi kufitar midis Sirisë dhe Irakut “Tanf”.

Rusia pohon se baza amerikane është jolegale dhe se rrethanat e kanë shndërruar në “vrimë të zezë”, ku ekstremistët veprojnë pa pengesa.

“Shteti Islamik” këtë vit e humbi pjesën më të madhe të territorit që e kontrolloi në Siri dhe Irak. Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov sot deklaroi se pjesa kryesore e luftës kundër SHI-së ka përfunduar.

SHBA sqaroi se “Tanf” është bazë e përkohshme për trajnimin e formacioneve të armatosura partnere për luftë kundër “Shtetit Islamik”. Por, sipas Gerasimov, SHBA-ja trajnon ish-luftëtarë të SHI-së, të cilët tani quhen “Armata e re siriane” dhe me emra të tjerë.

Ai shtoi se një numër i madh i ekstremistëve dhe ish-luftëtarëve të SHI-së janë trajnuar në qytetin verilindor Shadadi, ku, sipas tij, gjithashtu ka bazë amerikane.