Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, mëngjesin e sotëm para Pallatit “Serbia” në Beograd, me nderimet më të larta shtetërore priti Kryetarin dhe anëtarët e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës (BeH) Dragan Çoviç, Bakir Izetbegoviç dhe Mlladen Ivaniç, raporton Anadolu Agency (AA).

Vizita e anëtarëve të Presidencës së BeH-së në Beograd vjen një muaj pas deklaratave të Izetbegoviçit lidhur me njohjen e Kosovës, e cila shkaktoi reagime të ashpra në Serbi por edhe në entitetin e BeH-së, Republikën Sërpska. Megjithatë, edhe pas “stuhisë” së shpejtë, tensionet u ulën dhe të dyja palët theksuan se nuk do të ndodhë anulimi i vizitës zyrtare të anëtarëve të Presidencës së BeH-së në Serbi.

Vizata e delegacionit të BeH-së do të jetë një mundësi për të theksuar rëndësinë e marrëdhënieve ekonomike, realizimin e projekteve infrastrukturore që do të lidhin dy vendet, ndërsa çështjet e hapura të lihen anash.

Shpresohet se gjatë takimit të Vuçiçit me anëtarët e presidencës së BeH-së, mund të arrihet edhe marrëveshja për pjesët e diskutueshme të kufirit midis dy vendeve.

Kufiri i BeH-së dhe Serbisë është 335 kilometra, ndërsa zona të diskutueshme janë rreth hidrocentralit “Zvornik” dhe “Bajina Bashta”, pastaj një pjesë përmes së cilës kalon hekurudha Beograd-Bar dhe pjesa rreth komunës së Pribojit në Serbi, e cila është ndarë nga territori i komunës së Rudo-s.

Pas ceremonisë së pritjes, do të mbahet një takim i Presidentit të Republikës së Serbisë me anëtarët e Presidencës së BeH-së. Vlen të përmendet se Vuçiç me rastin e mbërritjes së delegacionit të BeH-së mbrëmë në Beograd organizoi një darkë zyrtare për mysafirët.

Për herë të fundit, krerët shtetërorë të Serbisë dhe BeH-së në këtë nivel u takuan në shtator të këtij viti kur Vuçiç ishte në një vizitë zyrtare në BeH. Para kësaj, Izetbegoviç ishte mysafir në Beograd në fund të qershorit të këtij viti, në inaugurimin e Vuçiçit.

Anëtarët e presidencës së BeH-së do të takohen edhe me kryeministren e Serbisë, Ana Brnabiç, pas së cilës është planifikuar që Çoviç, Izetbegoviç dhe Ivaniç në Avala pranë Beogradit të vendosin lule në monumentin e Ushtarit të Panjohur.

Në fund të vizitës anëtarët e presidencës së BeH-së është planifikuar takim me Maja Gojkoviç, kryetaren e Asamblesë Kombëtare të Republikës së Serbisë.

Global