Komisioni Evropian, me aktivizimin e nenit 7 të Marrëveshjes së Lisbonës kundër Polonisë për shkak të reformave në gjyqësi, në mënyrë serioze e shkel sovranitetin e këtij vendi dhe Hungaria do t’i vendos veto vendimit të tillë, deklaroi sot zëvendëskryeministri hungarez, Solt Semjen.

Ai vlerësoi se është e padrejtë Komisioni të mos ndërmarrë asgjë kur disa shtete anëtare evropiane i shkelin marrëveshjet evropiane, ndërsa nxisin “veprime të motivuara politike” kundër Qeverisë polake.

“Ky është shembull tipik i standardeve të dyfishta. Atë që e bën Komisioni Evropian është në kundërshtim me vlerat evropiane. Miqësia polako-hungareze na obligon ta kundërshtojmë hapin e Komisionit në të gjitha forumet”, theksoi Semjen.

Në pyetjen nëse kjo do të thotë se Hungaria i vë veto vendimit të KE-së, Semjen u përgjigj me pohim.