Plotësimi i vendeve vakante në Qeveri, do të mbetet pezull deri të mërkurën, kur dhe pritet të kthehet nga vizita në SHBA kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela, përveç nëse dy partnerët tjerë qeveritar, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, mund të marrin vendime të njëanshme para kësaj ditë, shkruan gazeta KOHA. Kjo, pasi kryeministri Zaev të shtunën, pas mbledhjes së përbashkët qeveritare me Qeverinë e Shqipërisë në Pogradec, deklaroi se të hënën do të procedojnë emrat për poste qeveritare në Parlament.

Siç deklaroi për gazetën KOHA, nënkryetari i ASH-së, Elmi Aziri, vetëm pas takimit Sela – Zaev do të dihet përfundimisht për pozicionin e partisë së tij në Qeveri.

Deri të mërkurën kur pritet të kthehet nga vizitat në SHBA kryetari Ziadin Sela, nuk asgjë konkrete rreth pozicioneve tona në Qeveri. Në takim mes kryetarëve të dy partive do të dihet përfundimisht se çka ne si parti do të pranojmë e çka jo”, thotë për gazetën KOHA, Elmi Aziri.

Në pyetjen tonë çka nëse LSDM dhe BDI, siç ka paralajmëruar Zaev, të hënë do të procedojnë emrat në Parlament dhe nuk do të presin Selën, Elmi Aziri thotë se ASH-së nuk i intereson aspak raporti i LSDM me BDI-në, por se partia e tij ka negociuar pushtetin me LSDM dhe po këtë parti do të presin çfarë do të thotë gjatë takimit të liderëve. “Jemi të njohur me atë deklaratë, por shikoni, neve aspak nuk na intereson raporti mes LSDM-se dhe BDI-së, meqë ne pushtetin e kemi negociuar me LSDM-në, kur ajo kishte mandatin për ta formuar qeverinë. Nëse nuk presin, është punë tyre, por nëse LSDM pret, atëherë do të presim se çka do të thonë konkretisht pas takimit të liderëve, përfshi edhe për zërat që qarkullojnë në opinion se kinse LSDM do të udhëheq me Shëndetësinë”, theksoi Elmi Aziri.

Nënkryetari i ASH-së mohon se ka pasur ofertë konkrete nga LSDM në formën “merre ose lëre” për pozicionet në qeveri. ”Njerëzit flasin, mediat po ashtu, kam dëgjuar dhe vetë funksionarë të ndryshëm në qeveri të thonë jo ashtu, jo kështu, por se nga LSDM në ASH nuk është dërguar asnjë ofertë konkrete për pozicionet në qeveri. Ato që dolën në disa portale, se LSDM na paska kërcënuar me merre ose lëre, është janë insinuata dhe të pavërtetë që ndoshta i interesojmë dikujt tjetër që njihen për role destruktive në këtë shtet, dhe prej të cilëve jo rrallë ka pësuar interesi ynë kombëtar”, thotë Elmi Aziri.

I njëjti shton dhe atë se ASH ka vullnetin e plotë të kontribuojë për integrimet euroatlantike të Maqedonisë përveç përshpejtimit të reformave në vend. “ASH ka vullnetin e plotë që të vazhdojë të kontribuojë për reformat në vend, gjegjësisht përshpejtimit e tyre dhe të jetë pjesë e dinamizmit të rrugëtimit të Maqedonisë drejt NATO-së dhe afrimit të vendit me BE-në. Ne do të jemi pjesë e Qeverisë reformatore, por asnjëherë të përkulur dhe të ofenduar,”përfundon Elmi Aziri, nënkryetar i ASH-së.

Edhe pse Zaev paralajmëroi se të hënën do të procedohet e emrat në Parlament në BDI, as të dielën nuk pati informacione të prera se cilat do të jenë emrat e rinj në postin e ministrit pa resor që mbulon investimet e huaja në vend dhe zëvendësministrit të arsimit. Ndërkohë në prapaskenë, BDI këmbëngul që ASH të mos udhëheq më sektorin shëndetësisë, ndryshe nga ASH që insiston që të udhëheq më këtë sektor deri në një rikonstruim të gjerë qeveritar para ose pas Samitit të NATO-s në qershor të vitit të ardhshëm. Duket që si rrjedhojë e këtyre luftërave të brendshme të partnerëve të koalicionit qeveritar, nga LSDM dolën zëra se do t’i ofrojnë ASH-së zëvendëskryeministër për Reforma, e së fundmi plus dhe zëvendësministër të shëndetësisë. Nga ASH këto zëra i interpretuan si presion që i bëhet kësaj partie pas koalicionit që kishte në nivel lokal me Lëvizjen BESA, që të lëshojë pe për shëndetësinë. Por, sipas asaj që thotë për gazetën KOHA sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Aleksandër Kiracovski, duket që LSDM dhe BDI mund të kenë marrë vendim që të qeverisin pa ASH, por që presin që kjo e fundit të refuzojë zyrtarisht propozimet e Zaevit për zëvendëskryeministër për Reforma. I njëjti, pra Kiracovski, një javë më parë tha jo zyrtarisht për gazetën KOHA se më shumë gjasat janë që shëndetësia t’i takojë ASH-së. Gazeta KOHA për të sqaruar më tej këtë dilemë mori informata jozyrtare edhe nga funksionar tjerë të LSDM-së, të cilët thanë se ASH do të mbajë shëndetësinë nga 3 deri në 5 muaj kur dhe mund të ketë rikonstruim të gjerë të Qeverisë. Ndryshe, ASH ka më shumë se dy javë që ka përcjellë zyrtarisht emrin e mjekut Vullnet Ferati nga Tetova për ministër të Shëndetësisë deri te zyra e Kryeministrit. Nga LSDM, nëse vendoset që me Shëndetësinë të udhëheq kuadër nga kjo parti, e kanë gati emrin e neurokirurgut Venko Filipçe. Por, nga lëvizjet e fundit në Qeveri dhe Parlament, gjegjësisht nga dorëheqja e ministrit pa resor Samka Ibrahimovski dhe dorëheqjes së dy deputetëve të LSDM-së Vasko Kovaçevski dhe Stevo Pendarosvki, dhe afrimit me LSDM-në të deputetit tjetër rom, Amdi Bajram dhe deputetit nga koalicioni i VMRO-së me partitë tjera, Çedomir Sazdovski, në një farë mënyre jep të kuptohet se LSDM dhe BDI ndoshta mund ta kenë ndarë mendjen të qeverinë pa ASH-në. Këtë variant e përforcon fakti se nga LSDM thonë se RDK e Vesel Memedit vazhdon të jetë pjesë e Qeverisë, por ndaj ASH-së nuk kanë qëndrime koherente, duke koketuar me poste qeveritare. Sa i përket numrave në Parlament, LSDM bashkë me BDI-në dhe RDK-në kanë 60 vende, ndërsa shumica pa ASH mund të plotësohet me deputetin Çedomir Sazdovski pra 61, pa mos përjashtuar as deputetin Amdi Bajram apo dhe dy deputetët e PDSH-së, kryetari Menduh Thaçi dhe Merale Yzeiri Ferati. Kjo e fundit i ka dhënë përkrahje Qeverisë reformatore të Zoran Zaevit. Gazeta KOHA bëri përpjekje të kontaktojë disa herë me nënkryetarin e PDSH-së Orhan Ibrahimi dhe ish deputetët Bekim Fazliu dhe Imer Aliu, për të mësuar nëse PDSH ka biseda me LSDM dhe BDI-ën për të qenë pjesë e Qeverisë. (koha.mk)