Kuvendi konstatoi dorëheqjen e deputetëve të LSDM-së. Nga socialdemokratët, dorëheqje prej posteve të deputetëve kanë dhënë deputeti Stevo Pendarovski dhe Vasko Kovaçevski. Në të njëjtën kohë, nga posti i ministrit është larguar ministri pa resor Samka Ibraimovski. Asnjëri prej të lartpërmendurve nuk arsyetoi dorëheqjen e tyre në Kuvend.

Këtu përfundojmë punën e kësaj seance deri në prononcimin e KSHZ-së. Pas raporteve që do të vijnë nga KSHZ-ja, vazhdojmë me punën e seancës së njëjtë- deklaroi kryetar i Kuvendit Talat Xhaferi.

Ndërkohë Lidhja e Romëve të Maqedonisë largohet nga koalicioni me VMRO-DPMNE-ne. Këtë e konfirmoi lideri i kësaj partie Amdi Bajram nga foltorja e Kuvendit. Bajram theksoi se tani e tutje do të veproj si subjekt i vetëm në opozitë.

Deri më tani kam qenë deputet i Lidhjes së Romëve në koalicion me VMRO-DPMNE-në, ndërsa prej sot do të veproj si Lidhja e Romëve dhe si deputet në Kuvendin e Maqedonisë- deklaroi Aamdi Bajram, Kryetar i Lidhjes së Romëve.

Ditë më parë, deputeti Bajram pas vendimit tij për mos bojkotimin e punës së Kuvendit, shprehu gatishmëri për t’iu bashkëngjitur shumicës parlamentare. Në një deklaratë për Alsat M, ai theksoi dëshirën për të qenë pjesë e grupit parlamentar të BDI-së, por nga subjekti i Ali Ahmetit kundërshtuan vullnetin e liderit të Lidhjes së Romëve duke i përkujtuar mundësinë e veprimit si deputet i pavarur. Deputeti Amdi Bajram sipas burimeve të Alsat më parë kishte dërguar sinjale edhe tek LSDM-ja për bashkëngjitje në grupin e tyre parlamentar, apo mbështetjen e shumicës, por përgjigje nuk ka marrë për shkak të fyerjeve të shumta që kishte dërguar ndaj LSDM-së dhe kreut të saj deri sa ishte në koalicion qeveritar me VMRO-në. Por pavarësisht kësaj, në situatën kur shumica parlamentare përballet me mungesë të një stabiliteti të qëndrueshëm, vota e Amdi Bajramit do të ishte e mirëseardhur.