Lideri i qendrës së majtë gjermane, Partia Socialdemokrate, Martin Schulz, iu shpreh anëtarëve të partisë se ai shpreson të marrë portofolin prestigjoz të financave në një koalicion të ri me konservatorët e kancelares Angela Merkel.

Schulz, që fillimisht deklaroi se do të shkojë në opozitë pasi partia e tij vuajti një rënie rekord në rezultatet zgjedhore, ka pranuar të hyjë në bisedime me Kristian Demokratët (CDU) e Merkelit dhe aleatët e tyre bavarezë, Unioni Kristian Social (CSU), pavarësisht kundërshtimit të fuqishëm nga baza.

Megjithatë, disa burime të partisë konfirmuan një raport të gazetës “Handelsblatt” ku Schulz i ka thënë kolegëve se “Ministria e Financave është qëllimi në bisedimet për koalicion me bllokun e Merkelit”.

Veterani i CDU-së, Wolfgang Schaeuble u tërhoq nga portofoli i financave pasi ai u përcaktua si presidenti i Bundestagut (Parlamenti gjerman).

Ky pozicion është zënë aktualisht, për një afat të përkohshëm, nga Peter Altmaier, shefi i stafit të Merkelit.