Ramush Haradinaj nuk i vizitoi ata që nga koha kur u kërkonte të vinin në Prishtinë për të protestuar për demarkimin e kufirit me Malin e Zi. Banorëve të Rugovës, sa ishte në opozitë Haradinaj, u premtoi përkrahje dhe se nuk do lejojë marrjen e 8 mijë hektarëve nga Mali i Zi me marrëveshjen që e nënshkroi Hashim Thaçi.

Banorët e Haxhajve pranojnë se Haradinaj nuk i vizitoj më kurrë, por thonë se i besojnë atij për korrigjimin e kufirit.

Ani pse Qeveria e tij i ka dhënë dritën jeshile kësaj marrëveshje për të shkuar në Kuvend, ata insistojnë se do t’i mbrojnë tokat e tyre me çdo kusht

Në temperatura minus e me borë, banorët u ngjitën deri në pikën e Haxhajve për të treguar kufirin. Ata janë të bindur për pikat kufitare, ani pse pranojnë se s’kanë dokumente, por thonë se një gjë të tillë e pranojnë edhe banorët malazezë nëse pyeten.

Më i ashpër në kundërshtimin e kësaj vije kufitare është shprehur banori i fshatit Haxhaj, Rrustem Selimaj. Ai thotë se familjes së tyre u merren afro 2,100 hektarë. Ndërsa, shton se “këto toka s’mund t’ua marr as Zoti”! /Tribuna Channel/