Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruci, thotë se një nga gabimet e mazhorancës gjatë vitit 2016, në mandatin e parë të saj në pushtet ishte fakti që organet ligjzbatuese nuk funksionuan sic duhet sa i përket kultivimit të kanabisit në vendin tonë.

E organi më i rëndësishëm që duhej të bënte monitorimin e territorit për të parë nëse kultivohej apo jo kanabis, është Policia e Shtetit. Në atë kohë Ministria e Punëve të Brendshme drejtohej nga Saimir Tahiri, sot i vënë në hetim nga Prokuroria e Përgjithshme për trafik të drogës në bashkëpunim dhe korrupsion. Ndërkohë shumë zyrtarë të policisë, ish-drejtues të drejtorive vendore të vendosur në këto poste gjatë kohës së Tahirit, janë në kërkim apo në hetim si të përfshirë në kët veprimtari kriminale.

Sipas hetimeve, trafikantët kanë vepruar lirisht duke kultivuar në territorin shqiptar pasi nuk kanë pasur goditjen e duhur nga organet ligjzbatuese, e në raste specifike, edhe janë favorizuar. Por ndërsa hetimet e nisura që përfshijnë edhe vënien nën akuzë të ish-ministrit, pritet të marrin formë deri në dërgimin në gjykatë, kreu i kuvendit me deklaratën e bërë ku pranon gabimin e mazhorancës, në mënyrë indirekte, kritika e tij, duket se i referohet pikërisht Saimir Tahirit dhe politikave që ai ndoqi ndaj policisë së shtetit dhe betejës së saj për të luftuar kanabisin.

I ftuar në Top Story, Ruci u shpreh konkretisht: “Një nga gabimet e mazhorancës është mos zbatimi i misionit dhe detyrat e organeve ligj zbatuese për të kontrolluar territorin për kanabisin. Në çfarë mase, kjo është e diskutueshme, por që ka qenë aty ka qenë aty”.

Gramoz Ruci ka qenë edhe vetë pjesë e mazhorancës si kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ndërsa me marrjen e detyrës së kryeparlamentarit është zhveshur nga ky post.

Por i pyetur drejtpërdrejtë nga moderatori Sokol Balla se a ka një koment për cështjen Tahiri, Ruci e anashkalon përgjigjen me argumentin se nuk kërkon të ndikojë në hetime.

“Politika duhet të heshtë derisa drejtësia të flasë, çfarë do qëndrimi të mbaj unë do të kishte një ndikim, qoftë për fajësi apo pafajësi. Çdo politikan duhet të heshtë. Kështu që unë nuk mund të bëj komente qoftë  për pozicionin personal edhe për atë të postit që mbaj”, – perfundon ai.