Rreth 4 500 shtetas rusë janë larguar jashtë shtetit për të luftuar përkrah terroristëve, njoftuan sot shërbimet e sigurisë ruse që i tremben faktit të kthimit të tyre tashmë që grupi i Shtetit Islamik ka humbur thuajse gjithë territorin e kontrolluar prej tij në Siri dhe Irak.

“FSB-ja përcaktoi se rreth 4 500 shtetas rusë janë larguar jashtë vendit për të marrë pjesë në luftime përkrah terroristëve’’, deklaroi në një intervistë të publikuar në web-in e së përditshmes zyrtare ‘’Rossiïskaïa Gazeta’’ drejtori i FSB-së, Alexandre Bortnikov.

Deri më tani, shërbimet e sigurisë kishin raportuar për 2 900 xhihadistë rusë, kryesisht me origjinë nga republikat e paqëndrueshme myslimane të Kaukazit, që luftojnë në Irak dhe në Siri.

Sipas Bortnikov, më shumë se 9 500 persona janë gjykuar në Rusi në pesë vite për krime që lidhen me terrorizmin apo ekstremizmin, përcjell Atsh.

Një ditë pas njoftimit nga ana e Vladimir Putin për tërheqjen e një pjese të forcave ruse nga Siria, FSB-ja i trembet ardhjes së xhihadistëve që kthehen nga Siria në territorin rus, ku do të zhvillohet së shpejti Kampionati Botëror i Futbollit.