Rivaldo thumbon Leo Messin dhe Cristiano Ronaldon. Ish-sulmuesi brazilian thotë se nëse do të luante në këtë epokë, do të kishte fituar më shumë “Topa të Artë”.

Ai analizon situatën që po kalon futbolli i ditëve të fundit, por edhe klasiken spanjolle. Rivaldo thotë se tani futbolli s’ka më kampionë si dikur dhe rivaliteti bëhet vetëm mes dy lojtarëve.

REALI- “Kisha fat kur luaja kundër Realit të Madridit. I kam shënuar me Palmeirasin, me Milanin, Olimpiakosin dhe Barcelonën. Dështova t’i shënoja vetëm me Deportivon”.

GOLI- “Kam luajtur një ndeshje ku i shënova 3 gola, por më anuluan një. Ai do t’i kishte dhënë fitoren skuadrës, por u anulua”.

LOJTARËT- “Do të më kishte pëlqyer shumë të luaja me Mesin, i cili ka kualitete të jashtëzakonshme. Ai është lojtari më i mirë i momentit dhe bën diferencën në fushën e lojës”.

KLASIKJA- “Shpresoj që të jetë një ndeshje e bukur dhe me gola. Mendoj se në këto sfida nuk ka favoritë. Barcelona duhet të bëjë kujdes nga Ronaldo. Ashtu si Mesi edhe ai bën diferencën në çdo ndeshje”.

“TOPI I ARTË”- “Në epokën time kishte shumë lojtarë të mëdhenj si Figo, Toti, Del Piero. Në epokën e sotme janë duke fituar vetëm Mesi dhe Ronaldo. Mendoj se edhe unë do të kisha fituar “Topa të Artë” në këtë epokë.

LOJTARËT- “Nuk dua të krijoj polemika, por mendoj që në epokën time kishte shumë lojtarë cilësorë. Në ditët e sotme nuk ka shumë të tillë”.

SULMUESIT- “Është shumë e vështirë t’i markosh lojtarët si Ronaldo dhe Mesi. Çdo ndeshje, ata janë ndryshe dhe mund të surprizojnë. Trajneri mund të marrë vendime, por ata janë lojtarë me shumë inteligjencë dhe çdo ndeshje mund të shpikin gjëra të reja”.

BENZEMA- “Është lojtar i madh. Po luan shumë mirë dhe për të nuk duhet të ketë kurrë dyshime”.

PAULINJO- “Kur u transferua te Barcelona, kishte pikëpyetje nga ana e tifozëve, por ai është duke bërë diçka mahnitëse. Unë thashë që në ato momente që ai është një blerje e goditur. Për më tepër po shënon edhe gola”.

NEJMAR- “Nuk i dihet kurrë se çfarë mund të ndodhë. Reali i Madridit i ka të gjitha mundësitë për ta transferuar. Ka pak kohë që është larguar nga Barcelona, por mund të rikthehet në Spanjë.

Largimi i tij nga katalanasit u bë për të qenë më i miri në botë. Të njëjtën gjë bëra edhe unë kur u largova nga Deportivo. Njerëzit u mërzitën, por bëra gjënë e duhur”.