Nuk duhet të shpresojmë se zgjidhja e problemit për emrin do të vijë vetvetiu, por duhet të bëjmë gjithçka që të vihet deri tek zgjidhja. Nëse e humbim edhe vitin e ardhshëm, do të jemi në situatë të gjithë fqinjët të jenë në NATO dhe BE, ndërsa ne të mbetemi ishull i izoluar dhe problemi të ekzistojë akoma.

Këtë për MIA-n e deklaroi Malinka Ristevska-Jordanova e Institutit për Politikë Evropiane, me rastin e raundit të fundit të bisedimeve për emrin të ndërmjetësit Methju Nimic me përfaqësuesit e Maqedonisë dhe të Greqisë, Vasko Naumovski dhe Ademantios Vasilakis, që u mbajtën pardje në Bruksel.

Sipas saj, klima është e përmirësuar në NATO dhe në BE, ndërsa Maqedonia u kthye në rrugën reformuese.

“Rrethanat për gjetjen e zgjidhjes për problemin janë përmirësuar, por nuk janë brilante. Por, vështirë kthehen pozitat e humbura në planin ndërkombëtar, balanca e brendshme politike është e brishtë, me ç’rast do të vështirësohet ndërtimi i konsensusit të brendshëm për këtë çështje”, thotë Ristevska-Jordanova.

Ajo vlerëson se duhet pasur kujdes që të arrihet zgjidhje e cila megjithatë do të jetë e pranueshme për Maqedoninë, ndërsa nuk do të përjetohet si dështim.