Regjimi i Asadit ka shkaktuar shkatërrime të mëdha në 5 vitet e fundit duke përdorur 68.334 bomba fuçi.

Rrjeti Sirian i të Drejtave të Njeriut (SNHR) njoftoi se regjimi i Bashar Asadit ka kryer të paktën 68.334 sulme me bomba fuçi kundër civilëve në periudhën mes korrikut të vitit 2012 dhe nëntorit të vitit 2017, transmeton Anadolu Agency (AA).

SNHR ka publikuar një raport në lidhje me bombat fuçi që regjimi të Asadit ka hedhur mbi vendbanimet civile të cilat gjatë periudhës në fjalë ndodheshin në kontrollin e opozitarëve.

Sipas raportit, forcat e regjimit kanë përdorur 2.314 bomba fuçi në vitin 2012, 14.976 në vitin 2013, 17.318 në vitin 2015, 12.958 në vitin 2016 dhe 5.931 bomba fuçi në 11 muaj të vitit 2017.

Ndërkohë, bëhet e ditur gjithashtu se forcat e regjimit kanë kryer 22.149 sulme me bomba fuçi në kryeqytetin Damask dhe zonat përreth tij. Ndërkaq, qyteti Halep në veri të Sirisë është përballur me 13.436 sulme me bomba fuçi nga forcat e regjimit.

Sipas raportit, bombat fuçi janë hedhur për herë të parë në rajonin Salin në Idlib në vitin 2012.

– Bombat fuçi kanë marrë jetën e 10.763 personave

Në raport theksohet se nga sulmet me bomba fuçi të regjimit jetën kanë humbur 10.763 civilë, nga të cilët 1.734 kanë qenë fëmijë dhe 1.689 gra.

Në periudhën në fjalë, në raportin e rrjetit thuhet se bombat fuçi janë përdorur në sulmet e ndërmarra ndaj 76 qendrave shëndetësore, 140 shkollave, 160 faltoreve dhe 50 tregjeve.

Gjithashtu, raporti thotë se regjimi ka kryer krim kundër njerëzimit dhe se ka përdorur bombat fuçi në mënyrë sistematike, në një gamë të gjerë dhe masive.

Më tej, SNHR thekson nevojën për embargo në armë ndaj regjimit dhe bën thirrje të gjykohen personat dhe institucionet që ofrojnë mbështeje monetare dhe me armë.

– Kostoja 50 dollarë, por efekti tejet shkatërrues

Regjimi preferon këto bomba për shkak të kostos së ulët dhe efektit të madh shkatërrues që kanë ato, një kosto prej rreth 50 dollarësh. Duke përdorur këto bomba kryesisht në zonat civile, regjimi synon të shkaktojë humbje më të lartë të jetëve. Varësisht nga sasia e mbushjes shpërthyese, një bombë fuçi mund të ketë rreze shkatërrimi prej 50 deri në 200 metra.