Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR) njoftoi se regjimi i Bashar al Asadit në operacionet e kryera me mbështetjen e Rusisë dhe Iranit për të rimarrë nga organizata terroriste DEASH rajonin Bukemal të Dejrizor-it, pranë kufirit të Irakut ka masakruar 411 civilë, transmeton AA.

Në raportin e publikuar nga SNHR theksohet se 411 civilë kanë humbur jetën në operacionet që regjimi i Asadit nisi në shtator 2017 në rajonin Bukemal, dhe se afërsisht 200 mijë civilë janë shpërngulur.

Ndër të tjera në raport thuhet se 124 kanë qenë fëmijë dhe 83 gra nga personat që kanë humbur jetën në operacionet e ndërmarra kundër DEASH-it me mbështetjen ajrore të Rusisë.

Gjatë operacioneve në Bukemal ku kanë dhënë mbështetje nga toka edhe milicët Hashdi Shabi të mbështetura nga Irani, krahas vdekjes së civilëve janë shkatërruar edhe më shumë se 20 qendra të banueshme.

Në raportin e SNHR theksohet se 168 civilë janë vrarë nga regjimi i Asadit dhe milicët Hashdi Shabi, ndërsa 243 civilë nga sulmet ajrore të Rusisë.

Raporti gjithashtu vuri në dukje se si rezultat i operacioneve kundër Bukemalit, 66 për qind e popullsisë së rajonit kanë mbetur të detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Regjimi i Asadit, në muajin nëntor njoftoi se me mbështetjen e Rusisë dhe Iranit kishte marrë nën kontroll rajonet Dejrizor dhe Bukemal që në korrik të vitit 2014 kishin kaluar nën kontrollin e DEASH-it.