Real Madrid dhe Barcelona do të takohen këtë fundjavë në kuadër të La Ligas spanjolle

Këtë të shtunë nga ora 13:00 në Santiago Bernabeu do të takohen dy skuadrat më të mira në botë, Real Madrid dhe Barcelona.

Madrilenët në këtë takim do të synojnë fitoren për të ngushtuar rezultatin ndaj katalonasve që udhëheqin me 11 pikë, por që Reali ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Në anën tjetër, Barcelona dëshiron të thellojë edhe me tepër epërsinë dhe të bëj një hap të madh drejt titullit kampion.

Por, para kësaj ndeshje të shohim se cila skuadër ka qenë më e suksesshme në 235 ndeshjet e kaluara.

Nëse shikojmë ndeshjet në La Liga, Reali dhe Barcelona në total janë takuar 174 herë, prej tyre 72 fitore i ka Reali, 69 Barcelona dhe 33 herë kanë barazuar.

Në Copa del Rey janë takuar 33 herë, ku Reali ka 12 fitore, Barcelona 14 dhe 7 herë kanë barazuar.

Në Ligën e Kampionëve madrilenët kanë fituar 3 herë për dallim nga Barcelona dy, ndërsa tre takime kanë përfunduar me rezultat të barabartë.

Në gara të tjera këto dy skuadra janë takuar 20 herë, ku sërish Reali është skuadër më e suksesshme me 8 fitore, kundrejt Barcelonës që ka 6 dhe 6 të tjera janë ndarë baras.

Në total këto dy skuadra janë takuar plotë 235 herë, ku kampioni aktual i Spanjës, Evropës dhe Botës ka 95 fitore, Barcelona ka 91, ndërsa 49 herë ndeshjet kanë përfunduar me rezultat të barabartë.