Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu u shpreh i kënaqur nga numri i vendeve që nuk votuan sot rezolutën e OKB-së që kundërshtonte njohjen nga SHBA-ja të Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit.

“Në Izrael, ne e kundërshtojmë këtë vendim të OKB-së dhe reagojmë me kënaqësi përballë numrit të konsiderueshëm të vendeve që nuk votuan në favor të këtij vendimi”, theksoi kryeministri në një komunikatë nga zyra e tij.

“Ne falenderojmë presidentin Donald Trump për pozicionin e tij të qartë dhe të prerë mbi Jeruzalemin dhe falenderojmë vendet që votuan bashkë me Izraelin, bashkë me të vërtetën”, shtoi Netanyahu.

Në 193 vende anëtare të OKB-së, 128 votuan pro rezolutës që dënonte vendimin amerikan mbi Jeruzalemin të marrë më 6 dhjetor, nëntë votuan kundër dhe 35 vende abstenuan gjatë një votimi që presidenti Donald Trump kishte premtuar se do e mbikëqyrte nga afër, duke kërcënuar me reprezalje financiare ata që mbështesin këtë tekst. Ndërsa 21 vende nuk morën pjesë në këtë votim. Shqipëria votoi pro rezolutës.