Claudio Ranieri u pezullua gjatë ndeshjes së fituar minimalisht nga Nantes, me rezultatin 1-0 ndaj Angers, e vlerfshme për javën e 18-të të Ligue 1.

Trajneri italian ka protestuar publikisht dhe forcërisht një ndërhyrje të shkaktuar nga Pavlovic në dëm të Ngom. Revolta e ish-kampionit të Premier League me Leicester, ishte aq e shfrenuar, saqë italiani i ka vënë duart në fytyrë arbitrit të katërt të takimit.

Një veprim tërësisht antisportiv nga ana e Ranierit, që ka detyruar arbitrin kryesor të ndeshjes, Karim Abed, që ta largojë menjëherë nga pankina, duke e detyruar trajnerin italian të ndjekë pjesën tjetër të lojës, në tribunë mes tifozëve.

“Doja t’i tregoja arbitrit të katërt faullin që kishte pësuar futbollisti im, për këtë arsye e kam prekur. Më vjen keq, është hera ime e parë që prek një arbitër, e dyta që më përjashtojnë nga pankina, për të më dërguar në tribunë”, deklaroi Ranieri.