Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë sot në darkën e fundvitit me mësuesit më të mirë të gjithë Shqipërisë. Ndërsa është paraqitur me atlete para tyre, Rama ka shpjeguar edhe ‘arsyen’ ose më mirë ka gjetur një justifikim të mirë për veshjen e tyre sot me kostum serioz.

“Kam ardhur me atlete në solidaritet të mësuesve të fizkulturës se në vendin tonë ka gjithmonë kunguj që duan shpjegime për veshjen. Ndaj shpjegimi për sot është solidaritet me mësuesit e fizkulturës që në fakt janë në fakt një pjesë e rëndësishme dhe që ne kemi vendosur t’i rikthejmë në detyrë pas degradimit prej çerek shekulli të këtij aspekti të edukimit dhe pas zhdukjes së sportit nga shkolla”, tha Rama.

Ai shprehu më pas kënaqësinë e marrjes pjesë në këtë darkë ku siç tha ai janë zgjedhur mësuesit më të mirë të shkollave më të mira, të rankuar nga kriteret dhe performanca e tyre.

“Më vjen mirë që jemi këtu së bashku. Është një mbrëmje tradicionale më përfaqësuesit më të mirë të shkollave më të mira të Republikës dhe sot falë një tjetër aspekti të reformës në arsim nuk e vendos protokolli por e vendos rankimi i shkollave sipas kritereve të përcaktuara dhe karta e performancës së mësuesve sipas standardeve të saj”, tha Rama.