Emisioni investigative “Boom”, ka qenë me kamera në shkollën nëntë vjeçare Dragot të komunës Belsh.

Të paktën 170 fëmijë të kësaj shkolle, por edhe më të vegjël, në kopsht, mësojnë dhe qëndrojnë në kushte të mjerueshme, të krahasueshme vetëm me vende përtej botës së tretë. Tashmë që ka filluar edhe I ftohti, gjithçka bëhet edhe më e dhimbshme për këta fëmijë. Klasa ku era fryn nga të katër anët, sepse nuk kanë xhama.

Ngrohja mungon. E mbi të gjitha mungojnë edhe tualetet brenda shkollës dhe fëmijët detyrohen të dalin jashtë për nevojat e tyre personale. E nuk mbarojnë këtu mundimet e tyre. Teksa kryeministri Edi Rama, premtonte dikur shkolla dixhitale ku do mësohej me tablet, këta fëmijë nuk kanë as banka të masës së tyre, e madje në ato që kanë, u mungon mbështetësja. Sipas studimeve, janë të predispozuar për probleme të shtyllës kurrizore, nëse shpëtojnë nga bronkopneumonitë dhe artitret.

Nëse fëmijët mund të kënaqen edhe nëse dalin pak në diell për t’u ngrohur, mësuesit nuk e bëjnë dot. Të njëjtat kushte vuajnë edhe ata. E përpos të tjerave, u duhet të bëjnë heroizma për të mbrojtur bazën materiale që duket se e kanë 30 vjeçare. Kryetari I bashkisë së Belshit, Arif Tafani, duket se është dorëzuar para kësaj situate, pasi nuk ka fonde. Këtë e vërteton edhe drejtori I zyrës arsimore Mehmet Dervishi, që e konfirmon duke shtuar se I kanë kërkuar fonde Ministrisë së Arsimit. Dhe sigurisht, deri në mbërritjen e përgjigjes, dhe më pas të fondeve, nuk dihet se sa dimra do kalojne.