Të furnizohen autobusë elektrikë dhe të riorganizohet transporti publik, të vendoset tarifë për luks gjatë regjistrimit të automjetit të dytë, të ndalohet përdorimi i qymyrit për ngrohje të amvisërive, të përforcohen kontrollet e fabrikave për përpunim të plastikës dhe punëtoritë që djegin vajra të mbeturinave. Urgjentisht të fillohet me gazifikim të qytetit, të ndalohet ndezja e zjarreve në të hapur, ndërsa nëpër rrugë të vendosen drita që absorbojnë CO2.

Këto janë një pjesë e vendimeve që i propozuan qytetarët në takimin e sotëm me kryetarin i Qytetit të Shkupit Petre Shilegov, për zvogëlim të problemit me ndotjen e ajrit në Shkup.

Nga Qyteti i Shkupit informojnë se qytetarët të cilët në numër të madh erdhën në këtë takim dhe i ofruan idetë e tyre të qëndrueshme, informatat dhe përvojat për tejkalim të problemit me ndotjen e ajrit propozimet e tyre deri te Qyteti i Shkupit do t’i dorëzojnë edhe me shkrim.

“U falënderohem të gjithë qytetarëve të cilët sot në numër të madh erdhën që t’i ndajnë idetë e tyre, sepse të gjithë jemi pjesë e këtij problemi dhe të gjithë duhet të jemi pjesë e zgjidhjes. Qëllimi i këtij takimi është që të përpiqemi ta kanalizojmë shqetësimin e përgjithshëm tek të gjithë ne për problemin me ndotjen e ajrit dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor. Do t’i shqyrtojmë të gjithë idetë që sot do t’i dëgjojmë dhe do t’i konfirmojmë mundësitë që ato të zbatohen në vepër. Unë, si kryetar i Qytetit të Shkupit tanimë iniciova inspektime të përforcuara në deponinë ‘Drislla’, kërkova që të përpilohet koncept i ri për transportin urban publik që do ta përfshinte edhe rrjetin e vazhdueshëm hekurudhor, ndërsa në buxhetin e qytetit është planifikuar edhe subvencionim prej 100 milionë denarësh për NPQ gjatë furnizimit të autobusëve elektrikë harmonikë”, deklaroi Shilegov.

Ai shtoi se për vitin e ardhshëm qytetarët do të marrin 10 milionë denarë subvencion gjatë furnizimit të inverterëve për ngrohje dhe trajnim për oxhakfshirës.

“Këto janë vetëm një pjesë e masave që i propozojmë, punojmë në shumë masa të tjera afatshkurta dhe afatgjata për luftë kundër ndotjes. Në Buxhetin e Qytetit të Shkupit për vitin 2018 do të ndahen 141 milionë denarë për mbrojtje të mjedisit jetësor, që është tre herë më shumë nga viti i kaluar”, tha kryetari i Shkupit Petre Shilegov në takimin me qytetarët.