Qipro, Greqia, Izraeli dhe Italia nënshkruan sot një marrëveshje për ndërtimin e tubacionit më të gjatë nënujor të gazit natyror në botë për të furnizuar Evropën.

“Projekti do të sigurojë një rrugë direkte për eksportin afatgjatë të gazit që nga Izraeli dhe Qipro në Greqi, Itali dhe tregje të tjera evropiane”, sipas komunikatës së përbashkët.

“Ai mundëson gjithashtu riforcimin e sigurisë së furnizimit me gaz të Bashkimit Evropian”, vijon komunikata.

Sipas komunikatës, katër vendet do të mundësojnë së bashku burime për studim, ndërtim dhe funksionimin e këtij projekti ambicioz.

Me një gjatësi prej rreth 2 000 kilometrash dhe një kosto prej pesë miliardë eurosh, ky gazjellës  pritet të dërgojë gazin e zbuluar në brigjet qipriote dhe izraelite në Evropë duke reduktuar varësinë e kontinentit kundrejt energjisë ruse.

Ai do të ketë një kapacitet vjetor prej 0,3-0,45 miliardë metër kub dhe mund të përfundojë deri në vitin 2025.

Ai do të rilidhë fushën e Leviathanit, në brigjet izraelite me atë të Aphrodites, në brigjet e Qipros, me Kretën, Greqinë dhe Italinë.

Ministri qipriot i Energjisë, George Lakkotrypis, homologu izraelit, Yuval Steinitz dhe ministri grek i Ekonomisë dhe Zhvillimit, Giorgos Stathakis morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit, ashtu si dhe ambasadori i Italisë në Qipro, Andrea Cavallari.

“Sot, ne kemi kaluar një etapë të rëndësishme (…) që nënvizon angazhimin politik të katër vendeve për të vazhduar këtë projekt”, deklaroi Lakkotrypis.

“Ne mendojmë se bëhet fjalë për gazjellësin më të rëndësishëm që ne e quajmë korridori i gazit natyror nga Mesdheu Lindor në Bashkimin Evropian”, shtoi ai./atsh/