Propozim ligji për amnisti pritet të “gëzojë” afro 3,500 persona nga vuajtja e dënimit me burg.

TV21 ka parë draft-ligjin i cili pritet të paraqitet sot para deputetëve për shqyrtim.

Sipas dokumentit, ligji ka 7 nene, ndërsa në Nenin 2 thuhet se personat e dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm, me 6 muaj burg, lirohen menjëherë nga burgu, në ditën kur hyn në fuqi ky ligj.

Të dhënat paraprake, flasin se aktualisht mund të jenë 670 të burgosur, që vuajnë burg me më pak se 6 muaj heqje lirie.

Neni 2, po ashtu sqaron se personave që janë dënuar me më shumë se 6 muaj burg, do të lirohen nga “30% e dënimit të plotë”.

Tutje ky nen sqaron edhe çështjen e personave që kanë dënim unik me burg, ku edhe ata gëzojnë 30 % reduktim të burgimit, por ata lirohen vetëm “në pjesën e dënimeve të veçanta” të përcaktuara paraprakisht me këtë ligj.

Amnistia, sipas propozim-ligjit, nuk përfshin personat e dënuar me vendim të plotfuqishëm me: burg të përjetshëm, për vrasjet, shkeljet zgjedhore, pedofili (lirisë gjinore dhe moralit gjinor), kundër shtetit.

Drafti në të cilin ka pasur qasje TV21 thotë po ashtu se kjo amnisti nuk ka të bëjë me personat të cilët veprat i kanë kryer “pas 20 shtatorit 2017”.

Në këtë kategori, të dhënat paraprake parashohin se afro 3,000 persona mund të gëzojnë të drejtën e amnistisë sipas draft-ligjit që ka parë TV21.

Sipas propozim ligjit, të dënuarve me 1 vit burg, do t’u falen 3 muaj e 6 ditë nga dënimi; për dënimet deri në 5 vjet do të falen 18 muaj, për dënimet deri në 10 vjet do të falen 36 muaj nga vuajtja e dënimit.