Ziadin Sela dhe Zoran Zaev do të takohen të enjten, për të vendosur nëse Aleanca për Shqiptarët pranon ofertën LSDM-së për shkëmbim të ministrisë së Shëndetësisë me Sekretariatin për zbatimin e reformave apo do të lëshojë Qeverinë. Derisa Aleanca pretendon se i takojnë Shëndetësia dhe Pushteti lokal, LSDM-ja është e prerë, duan shëndetësinë. Takimit do t’i paraprijë mbledhja e kryesisë qendrore të ASH-së pas kthimit të Selës nga SHBA-të. I kontaktuar nga Alsat M, kreu i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela tha se gjithçka do të sqarohet pas takimit me Zaevin. Ndërkohë LSDM-ja ka propozuar Venko Filipçen për ministër të Shëndetësisë, por siç thonë socialdemokratët, propozimi nuk është dorëzuar në Kuvend për çështje teknike dhe për shkak të mosqartësimit të qëndrimeve me ASH-në. Filipçe njihet si kuadër i cili studimet i ka mbaruar në Ohajo dhe pjesën tjetër në Cyrih të Zvicrës. Ai ishte kundërshtonte Plenumin e Profesorëve por thotë se këtë veprim e ka bërë duke menduar se ka firmosur për formimin e një iniciative për reforma në Fakultetin e Mjekësisë. Sa i përket integristëve, ata kanë caktuar emrin e zv.ministrit të Arsimit. Vendin e Visar Ganiut do ta zë Arbër Ademi.

Kjo zgjedhje tejkalon edhe situatën aktuale në Qeveri. Situata është zgjidhur dhe nuk tangon asgjë. Shumica parlamentare është stabile edhe me partinë e Zijadin Selës por dhe pa të dhe nuk ka asnjë dilemë që mund të ngrihet nga ky proces – tha Artan Grubi, deputet i BDI-së.

Në rast të ndryshimeve brenda shumicës, kjo e fundit është e bindur se numrat nuk mungojnë për votimin e kuadrove të reja. Qeveria llogaritë në dy numrat e PDSH-së, një të Vesel Memedit, deputetit Hamdi Bajram dhe të deputetit të pavarur Çedomir Sazdovski. Si datë e mundshme kur në seancë plenare mund të vendosen emrat e ministrave dhe zëvendësministrit, parashikohet të jetë 25 dhjetorit, por përderisa Sela dhe Zaev pastrojnë dilemat rreth Shëndetësisë nuk përjashtohet që propozimet për plotësimin vendeve vakante në rend ditë të jenë edhe në seancën e 22 dhjetorit.