Qeveria pa precizuar se kur, njoftoi se së shpejti emrat e propozuar për ministër dhe zëvendësministra do t’i dorëzoj në Kuvend. Pas takimit të djeshëm mes liderit të ASH-së, Ziadin Sela dhe Kryeministrit Zoran Zaev palët nuk kanë lëvizur qëndrimet. Derisa Sela vazhdon të mbaj qëndrimin se subjektit të tij i takon Shëndetësia, LSDM-ja mbetet në korniza të ofertës për Sekretariatin për zbatimin e reformave. Aleanca nuk ka plan B që do të detyronte këtë subjekt të ndryshonte Shëndetësinë me subjekt tjetër, por në rast se Zaev vendos që propozimet t’i dërgoj në Kuvend pa pastrimin e dilemave me Selën, Aleanca në Kuvend Qendror do të shqyrtoj vendimin e qëndrimit ose ikjes nga Qeveria.

Më 24 dhjetor ne do të kemi Kuvendin Qendror të partisë i caktuar që më herët me qëllim vlerësimin e procesit të zgjedhjeve lokale dhe caktimin e Kongresit të partisë. Vlerësoj se në atë mbledhje do të trajtohet edhe kjo çështje- deklaroi Ilmi Aziri, Aleanca për Shqiptarët.

Pas takimit të djeshëm mes Kryeministrit Zoran Zaev dhe kreut te ASH-së Ziadin Sela, nga Qeveria Selës njoftuan se ky i fundit nuk ka pranuar Sekretariatin për Zbatimin e Reformave në këmbim të Ministrisë së Shëndetësisë. Qëndrimi i shkurtër i organit ekzekutiv lë të kuptohet se LSDM-ja nuk ka ofertë tjetër për partnerin e koalicionit. Ndërkohë Sela, duke mos dashur të komentojë më shumë ka theksuar shkurtë përmes telefonit, se gjithçka që kishte e tha dje.

Nga ana tjetër LSDM-ja ka propozuar Venko Filipçen për ministër të Shëndetësisë, ndërsa BDI-ja emrin e Arbër Ademit për zëvendësministër të Arsimit. Propozimet në Kuvend do të dërgohen në pako, por sipas situatës aktuale edhe pse seanca për votimin e tyre është caktuar për 25 dhjetor, nuk përjashtohet që e njëjta të shtyhet deri në pastrimin e dilemave mes Aleancës për Shqiptarët dhe LSDM-së.