Qeveria e filloi procedurën për shitjen e mercedesit të blinduar, ndërkaq me mjetet nga shitja do të blejë materiale të domosdoshme dhe prioritare dhe pajisje mjekësore për qendrat klinike dhe disa ente të tjera shëndetësore në vend.

“Në konferencën e djeshme Qeveria e miratoi vendimin me të cilin mercedesi, i cili ishte në pronësi të MPB-së, kaloi në sundim të plotë të Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë. Ky është fillimi i procedurës për tjetërsimin e tij të mëtutjeshëm dhe zëvendësimin e vlerës së tij me pajisje spitalore, proces i cili do të ndodhë në periudhën në vijim”, tha zëdhënësi qeveritar, Mile Boshnjakovski në konferencën e sotme për shtyp.

Ai theksoi se për momentin dihet se mercedesi ka kushtuar 600.000 euro, ndërkaq vlera reale do të konfirmohet në procedurë të mëtutjeshme.

“Në pajtim me atë vlerë do të përcaktohet se cilat janë nevojat e qendrave klinike në vend, e ndoshta edhe në disa ente të tjera shëndetësore dhe në bazë të asaj do  të furnizohen edhe materialet prioritare”, saktësoi Boshnjakovski.

I pyetur nëse planifikohet furnizim me automjet tjetër për mysafirë të lartë dhe me çka do të vozitet kryeministri Zoran Zaev, Boshnjakovski tha se kryeministri asnjëherë nuk e ka përdorur mercedesin.

“Mercedesi nuk është përdorur fare në baza ditore. Për momentin nuk do të furnizohet automjet tjetër, ndërkaq kryeministri do të vozitet me automjetet zyrtare të cilat përdoren tani. Për sigurinë, ndërkaq, të mysafirëve të lartë dhe delegacioneve që vijnë në vend, në mënyrë të përkryer do të kujdeset MPB dhe këtu nuk ka kurrfarë dilemash të hapura”, theksoi Boshnjakovski.

Saktësoi se procedura për shitjen e mercedesit ka filluar, ndërkaq, siç tha, do të shohim se ku do të na çojë dhe në çfarë forme do të përfundojë.

“Për gjithçka do të informojmë në mënyrë transparente në atë moment kur do të konfirmohet”, saktësoi Boshnjakovski.

Në pyetjen nëse është konsultuar PSP-ja për tjetërsimin e mercedesit sepse shfrytëzohet si një nga dëshmitë në procedurat që po i zhvillon Prokuroria, Boshnjakovski tha se kjo nënkuptohet dhe shtoi se për momentin mercedesi nuk është tjetërsuar, por vetëm në mënyrë formale-juridike i është ndërruar pronësia.

“Është e sigurt se hetimi nuk do të rrezikohet në asnjë moment”, tha Boshnjakovski.