Lagja Aerodrum e Shkupit ende është në shok nga incidenti i djeshëm, kur  një qen i rritur sulmoi një grup fëmijësh që po luanin në një park. Ata u shpëtuan nga disa persona që po qëndronin afër, të cilët gjithashtu kanë ngelur me plagë kafshimi.

Prindërit thonë se frikohen t’i lëshojnë fëmijët në shkollë nga ndonjë sulm tjeter, sepse sipas tyre, në lagjen ku ata jetojnë ka një numër të madh të qenve endacak.

“8 cm mish i mungon nga rojtfaleri. Ka shumë qenë këtu, një mijë qenë janë dhe askush nuk ndërrmerr asgjë, as  komuna as institucionet”, u shpreh prindi i njërit nga fëmijët e sulmuar.

“Po si nuk e pashë, këtu luftova me të që të shpëtojë fëmiun.  Ishte qen i rritur, i zi, rojtfaller.  Pas kësaj kishte kafshuar edhe 2 persona, edhe një tjetër kishte kapur më posht atje”, tha gjyshi i njërit nga fëmijët e sulmuar.

Qeni supozohet se ka qenë i rritur në shtëpi dhe është përdorur për mundje, ndërsa ditën e djeshme  është lëshuar ose ka ikur nga pronari. Ndërmarrja publike “Parqe dhe Gjelbërime” Shkup njoftoi se qeni është kapur menjëherë pasi rasti është paraqitur.

“Ekipit tonë i është paraqitur që ka ndodhur një incident i tillë, kanë dalë në terren dhe qeni është kapur. Bëhet fjalë për qen që është ruajtur në kushte shtëpiake. Nuk bëhet fjalë për qen të pastrehë, ai është ruajtur në shtëpi i cili osë është lëshuar me qëllim ose është larguar nga shtëpia”, tha Ana-Marija  Brangjolica, NP “Parqe dhe Gjelbërime”, në linjë telefonike.

Nga ministria e Punëve të Brendshme njoftuan se rastin e kanë paraqitur 6 persona, ndërsa po merren masat e nevojshme për të zbuluar nëse qeni ka qenë pronësi e ndokujt, ndërsa nëse gjendet pronari, ndaj tij do të ngrihet vepër  penale.

“Nëse Ministria e Punëve të Brendshme përcakton se qeni që ka sulmuar personat ka një pronar, pas përcaktimit të identitetit të pronarit kundër tij, do të ngrihet vepër penale për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” sipas nenit 288 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë”, nga MPB.

Nga klinika infektive njoftuan se të kafshuarve u është dhënë terapi. Familjarët e viktimave dhe persona tjerë të lagjes paraljmaruan se do të ngritin padi penale të përbashkët kundër qytetit të Shkupit./TV21