Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se statusi i Kudsit duhet të diskutohet me kontakte të drejtpërdrejta mes Izraelit dhe Palestinës, raporton Anadolu Agency (AA).

“Procesi i paqes duhet të zhvillohet në kuadër të rezolutave të Kombeve të Bashkuara (OKB). Statusi i i Kudsit medoemos duhet të diskutohet me kontakte të drejtpërdrejta mes Izraelit dhe palestinezëve”, tha Putin në konferencë të përbashkët me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan në Ankara.

Putin theksoi se vendimi i qeverisë amerikane për ta njohur Kudsin si kryeqytet të Izraelit dhe për zhvendosjen e ambasadës në këtë qytet përkeqëson tutje gjendjen në rajon, duke shtuar se ky hap mund ta sabotojë procesin e paqes mes Izraelit dhe Palestinës.

Presidenti rus paralajmëori se Rusia do të marrë pjesë si vëzhguese në mbledhjen e jashtëzakonshme të Organizatës për Bashkëpunim Islam që do të mbahet në Stamboll.

Duke folur për marrëdhëniet mes dy shteteve, Putin theksoi rritjen e vëllimit tregtar mes dy vendeve.

“Të gjitha këto u arritën në saje të vendimeve të përbashkëta që kemi marrë”, tha presidenti rus.

Ndërkaq, duke folur edhe për rritjen e numrit të turistëve rusë në Turqisë, Putin u shpreh se numri i tyre është rritur nga 866 mijë vitin e kaluar në katër milion këtë vit.

Ai po ashtu tha se vlerëson përpjekjet dhe kontributet e homologut të tij turk Erdoğan për gjetjen e zgjidhjes për krizën në Siri.