Presidenti rus, Vlladimir Putin deklaroi sot se është arritur fitore e plotë ndaj SHI-së në të dyja anët e lumit Eufrat në Siri.

“Para dy orësh, ministri i Mbrojtjes, Sergej Shojgu njoftoi se operacionet në bregun lindor dhe perëndimor të Eufratit përfunduan me shkatërrim të plotë të terroristëve”, deklaroi Putin para gazetarëve në Moskë.

“Gjithsesi, në vende të veçanta mund të ketë grupe të caktuara të cilat ofrojnë rezistencë, por në përgjithësi, veprimet luftarake në atë etapë dhe në atë territor përfunduan. Përfunduan, përsëris, me fitore dhe shkatërrim të plotë të terroristëve”, theksoi shefi i shtetit rus.

Ai vlerësoi se tani, pjesëmarrësit në zgjidhjen e situatës në Siri, siç janë Qeveria siriane, vendet nga rajoni dhe Kombet e Bashkuara, duhet bashkërisht të kalojnë në etapën e ardhshme.

“Tani duhet të ndërmerren hapat e parë: të përforcohet e arritura deri më tani në rajonet e deeskalimit, t’i vihet fund gjakderdhjes në territorin sirian dhe të kalohet drejt procesit të zgjidhjes së qetë politike të situatës”, theksoi Putin.

Global