Rusia do të mbështesë çdo zgjidhje për çështjen e Kosovës, me të cilën do të pajtoheshin Beogradi dhe Prishtina.

Këtë e tha Presidenti rus Vladimir Putin, pas takimit me homologun e tij serb Aleksander Vuçiç, në Moskë. Ai ritheksoi qëndrimin e Rusisë për të mbështetur tërësinë tokësore dhe sovranitetin e Serbisë, ndërsa theksoi se situata në Kosovë duhet të zgjidhet me dialog në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Do të mbështesim çdo zgjidhje të pranuar në mënyrë të ndërsjellë që arrijnë Beogradi dhe Prishtina”, tha Presidenti rus. Ndërkaq, Presidenti serb Aleksander Vuçiç shprehu mirënjohjen e tij për qëndrimin e Moskës ndaj çështjes së Kosovës dhe e siguroi shefin e Kremlinit se Serbia do të vazhdojë të mbetet ushtarakisht e paanshme. Presidenti serb ka theksuar vazhdimisht se vendi i tij synon integrimin në insitucionet evropiane, por njëkohësisht dëshiron të ruajë marrëdhëniet me Rusinë, aleate tradicionale e cila kundërshton po ashtu pavarësinë e Kosovës dhe nuk e sheh me sy të mirë afrimin e vendeve të Evropës Juglindore me strukturat euro-atlantike.

Serbia ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve të BE-së dhe SHBA-së kundër Moskës lidhur me ndërhyrjen e saj në Ukrainë. Presidenti serb ritheksoi se vendi i tij këtë nuk do ta bëjë kurrë.