Presidenti aktual rus, Vlladimir Putin do të parashtrojë kandidaturë për mandat të ri presidencial në zgjedhjet në mars të vitit 2018.

“Do të kandidoj për vendin e presidentit të Federatës ruse”, deklaroi Putin, gjatë fjalimit para punëtorëve të fabrikës për automobila në qytetin Nizhnji Novgorod.

Ai theksoi se  nuk ka mundur të gjejë vend më të mirë dhe moment më të mirë për ta kumtuar kandidaturën.

Pasi që e paralajmëroi kandidaturën, punëtorët vendimin e Putinit e përshëndetën me duartrokitje të bujshme, duke e shprehur mbështetjen e tyre.

Putin për herë të parë u zgjodh president i Rusisë në mars të vitit 2000, ndërsa në vitin 2004 u rizgjodh. Prej vitit 2008 deri në vitin 2012 e kryesoi qeverinë ruse, ndërsa prej vitit 2012 sërish qëndroi në krye të shtetit.

Zgjedhjet presidenciale në Rusi mbahen më 18 mars të vitit të ardhshëm, ndërkaq së shpejti duhet të fillojë edhe fushata zgjedhore.

Sipas anketës së VTSIOM shtetërore, të mbajtur në shtator, presidenti rus gëzon besimin tek 82 për qind e votuesve.

Tani për tani, pjesëmarrje në zgjedhjet presidenciale paralajmëruan kryetari i Partisë liberal-demokrate Vlaldimir Zhirinovski, lideri i Partisë komuniste Genadij Zjuganov, kryesuesi i liberales “Molla” Grigorij Javlienski, gazetarja Ekaterina Gordon, aktivistja Ksenija Sobçak dhe biznesmeni Boris Titov.

Sipas anketës së “Levada Centar”, të publikuar para dy ditëve, vetëm 58 për qind e votuesve planifikojnë të dalin në vendvotime. Analistët theksojnë se kjo nuk do të paraqesë rrezik për rizgjedhjen e Putinit për mandat të ri deri në vitin 2024, por krijon problem e legjitimitetin e fitores së tij. Para disa muajve, Kremlini tha se presin aktivizim prej rreth 70 për qind.