Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin sonte i përfunduan bisedat bilaterale në Moskë, pas çka nënshkruan një seri marrëveshjesh për bashkëpunim në sfera të ndryshme.

Putini para gazetarëve theksoi se biseda ka qenë e sinqertë dhe përmbajtjesore dhe paralajmëroi zhvillim të mëtejmë dhe përforcim të marrëdhënieve mes të dy vendeve.

Presidenti rus, në konferencën e përbashkët për media me Vuçiqin theksoi se Rusia do të vazhdojë me mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë.

Ai shtoi se Rusia do ta mbështesë çdo vendim për Kosovën që do të arrihet mes Beogradit dhe Prishtinës, duke theksuar se zgjidhja duhet të arrihet me mjete politike, me dialog të të dyja palëve dhe të jetë në pajtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të KB-së.

Putin thekson se me Vuçiqin më së shumti kanë biseduar për bashkëpunimin ekonomik me vlerësim se kjo është në rritje dhe se kështu do të vazhdojë. Njëherësh ai paralajmëroi se Rusia do t’i mbulojë nevojat e Serbisë për gaz.