Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit ka ngritur procedurë parahetimore sipas pretendimeve për pohimet e ish ministrit serb të Punëve të Jashtme Vuk Jeremiq për gjoja larje të parave në Serbi nga ana e funksionarëve të lartë të Maqedonisë dhe lidhshmërinë e tyre me persona fizikë dhe juridikë nga Serbia dhe Çekia.

PTHP kumtoi se veprimet parahetimore janë për shkak të ekzistimit të indikacioneve për vepër të kryer penale Larje të parave dhe të ardhurave të tjera.

“Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit i ka marrë të gjitha veprimet dhe koordinimet e nevojshme me institucionet kompetente për zbulimin e këtij lloji të veprave penale. Për rrjedhën e mëtejshme të procedurës, opinioni vazhdimisht do të njoftohet”, theksohet në kumtesën e PTHP-së.

Ish shefi i diplomacisë serbe dhe lider i Partisë Popullore opozitare, Vuk Jeremiq, para pak kohe në deklaratën për “TV Nasha” të Beogradit bëri thirrje të  shqyrtohen lidhjet mes ish Qeverisë së Maqedonisë dhe drejtorit të firmës SCMG, që e ka blerë fabrikën “14 Tetori” nga Krushevaci. Jeremiq pohon se njerëz të afërt me ish kryeministrin e Maqedonisë Nikolla Gruevski dhe ish drejtorin e DSK-së Sasho Mijallkov, me para nga aktivitetet e korruptuara në Maqedoni, kanë blerë firma në Serbi në marrëveshje të fshehtë me autoritetet serbe.