Steven Metz

Në diplomacinë ndërkombëtare ashtu si në sportin e boksit, mund të “grushtohet” mbi peshën e përcaktuar, dhe në sistemin e sotëm global të sigurisë, Rusia është si një “peshë e lehtë” agresive. Për Shtetet e Bashkuara dhe pjesën tjetër të Perëndimit, që frenon apo moderon veprimet nganjëherë të dëmshme të Rusisë, kjo varet nga të kuptuarit e arsyeve se përse Moska mund të “grushtojë” mbi peshën e saj, dhe se si kjo e formëson sjelljen e saj.

Deri në fundin e viteve 1940, amerikanët nuk e kishin vrarë aq shumë mendjen për Rusinë, prandaj qenë thellësisht të hutuar kur aleanca e Luftës së Dytë Botërore midis Uashingtonit dhe Moskës, evoluoi në një Luftë të Ftohtë.

Në një artikull të famshëm në “Foreign Affairs” me titull “Burimet e sjelljes sovjetike”, diplomati amerikan i karrierës Xhorxh Kenan, i cili ishte një nga ekspertët më të shquar të Rusisë në Departamentin e Shtetit në atë kohë, shpjegoi se historia e Rusisë e të qenit e pushtuar, plus madhësia dhe vendndodhja gjeografike, i jepnin asaj një fuqi të madhe, por që e fshihte
me një kombinim të paranojës dhe ambicjes.

Kjo i dha Rusisë ndjenjën e thellë të misionit kombëtar, duke e parë veten si një kështjellë kundër kundër forcave armiqësore të Perëndimit, dhe si një hegjemone legjitime në Europën Lindore dhe Eurazi. Këto ide, mbetën pezull gjatë dekadës së dobësimit të Rusisë pas shembjes së Bashkimit Sovjetik, por nuk u zhdukën asnjëherë.

Ato u rishfaqën ndërsa Rusia e rifitoi forcën dhe ndjenjën e qëllimit, nën udhëheqjen e Presidentit Vladimir Putin, dhe vazhduan të diktonin politikën aktuale të sigurisë së Moskës. Kjo pikëpamje e veçantë, e bën Rusinë të besojë se është në një gjendje lufte të vazhdueshme, qoftë ajo e nxehtë me
një luftë të vërtetë apo e ftohtë, që zhvillohet në sferat politike dhe informative.

Kjo është shumë e ndryshme nga pikëpamja botërore amerikane, e cila e konsideron konkurrencën paqësore midis kombeve si një normë, dhe luftën si një shmangie episodike. Ajo çka e bën kërcënues fiksimin e vazhdueshëm të Rusisë me luftën, është sot efektiviteti i errët i Putinit.

Duke shfrytëzuar pasurinë nga resurset e mëdha natyrore të Rusisë dhe forcën e tij të vullnetit, Putini ka ndërtuar një sistem politik autoritar, dhe ka gjetur mënyrat për të kapërcyer pengesat, si dhe për të rivendosur fuqinë dhe ndikimin rus në të gjithë botën.

Gjatë Luftës së Ftohtë, Moska synoi të transformojë dhe dominojë sistemin global të sigurisë, me ëndrrën e zëvendësimit të tij me një tjetër të përbërë nga diktatura e stilit sovjetik. Rusia e sotme, është më pak ambicioze dhe më pak revolucionare, duke kërkuar në vend të saj dominimin e asaj që e quan “lagjen e saj të afërt” – kombet që dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik dhe perandorisë sovjetike – si dhe të ndryshojë disi sistemin ekzistues të dominuar nga Perëndimi.

Sikurse e ka përcaktuar Andi Akin, një ekspert mbi çështjet e sigurisë kombëtare, Rusia dëshiron një botë “policentrike”, ku ajo të jetë një partnere e barabartë me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe Kinën, pavarësisht fakti se popullsia dhe ekonomia e saj janë të vogla krahasuar me qendrat e tjera të pushtetit.

Për ta arritur këtë, Kremlini po shfrytëzon dobësitë tek kombet ekzistuese dhe sistemet e rendit rajonal. Putin, siç vë në dukje Alina Poljakova nga “Atantic Council”, është “shumë i aftë në identifikimin e boshllëqeve të pushtetit në rajone të ndryshme të botës”.

Lindja e Mesme është një shembull i rëndësishëm. Kur presidenti amerikan, Barak Obama, zgjodhi të kishte një qasje më pak dominante amerikane në rajon, ai i krijoi Moskës një hapësirë manovrimi. “Kur mungon lidershipi amerikan dhe ai perëndimor”, vë në dukje Poljakova, “Rusia gjen mënyrën për të hyrë në skenë, dhe për ta shndërruar veten në një ndërmjetësuese thelbësore, arbitrin kryesor të marrëdhënieve të pushtetit në atë rajon, në mënyrë që të futet sërish në skenën botërore”.

Në “lagjen e saj të afërt”, Rusia zotëron një koleksion më të gjerë mjetesh. Ajo forcon regjimet miqësore me të, veçanërisht ato autokratike; mbështet grupet miqësore, veçanërisht rusët etnikë që janë të përhapur në mbarë hapësirën e ish-perandorisë ruse dhe asaj sovjetike; dhe shfrytëzon varësinë ekonomike për t’i imponuar vullnetin e saj kombeve fqinje.

Rusia zotëron një mekanizëm të madh presioni mbi Evropën Perëndimore, pasi është një furnizuesja e saj kryesore me energji, veçanërisht e gazit natyror. Por fokusi i përpjekjeve të saj për të dobësuar Shtetet e Bashkuara dhe demokracitë evropiane, nxjerr në pah një metodë të marrë nga “manualet e vjetër” të Bashkimit Sovjetik:përforcimi i çdo gjëje që dobëson dhe përçan vendet perëndimore, veçanërisht ato që janë të forta dhe që mund të rezistojnë, apo ushtrojnë presion ndaj Rusisë.

Gjatë Luftës së Ftohtë, kjo do të thoshte një partneritet me lëvizjet politike të majta, dhe partitë dhe lëvizjet anti-koloniale. Sot, kjo do të thotë nxitje e lëvizjeve etno-nacionaliste dhe ato kundër emigracionit, si dhe partive politike të së djathtës ekstreme.

Ky është një përshtatje e natyrshme:Për shekuj me rradhë, Rusia e pa veten si një digë e të ashtuquajturit Krishtërim Perëndimor kundër “Lindjes” jo të krishterë, veçanërisht kundër myslimanëve.

Rusia punon sot për të përforcuar etno-nacionalizmin dhe armiqësinë ndaj emigracionit, veçanërisht ndaj emigracionit mysliman, në Evropën Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara, duke u mbështetur mbi propagandën shtetërore të stilit së vjetër, por edhe llojeve të reja të fushatave të dezinformimit në mediat sociale.

Në shumicën e rasteve, qëllimi nuk është t’i bëjë aleatët rusë haptazi pro Moskës, pasi kjo mund të çonte në një rezistencë të hapur nga ana e Perëndimit, por thjesht të dobësojë vendet e shënjestruara. Nga perspektiva e Rusisë, strategjia e përçarjes tek të tjerët është thjesht mbrojtëse.

Një mënyrë përmes së cilës Rusia lidhet me të djathtën etno-nacionaliste në Perëndim, është duke e theksuar konservatorizmin e vet social, veçanërisht në çështje të tilla si kundërshtimi i të drejtave të komunitetit LGBT, dhe duke theksuar një formë të ekzagjeruar të mashkulloritetit tradicional, të ilustruar nga vetë Putini. Kjo rezonon me disa konservatorë në Shtetet e Bashkuara dhe në pjesë të tjera të Perëndimit.

Strategjia e Rusisë për shfrytëzimin e ndarjeve dhe problemeve që ekzistojnë në vendet e tjera, është veçanërisht e rrezikshme kur Moska zgjedh të përdorë sulmet e drejtpërdrejta, siç është ndërhyrja në zgjedhjet perëndimore, më së shumti vitin e kaluar në presidencialet e zhvilluara në Shtetet e Bashkuara.

Ndonëse mund të jetë e rrezikshme, në rast se shkakton kundër-përgjigjen e SHBA-së dhe vendeve të tjera perëndimore, kjo strategji ushqen narrativën e Moskës se diversiteti dhe demokracia e hapur, janë natyrshëm ide plot me të meta.

Megjithatë, edhe kur Rusia “grushton” mbi peshën e saj gjeopolitike për të gjitha këto arsye, është e rëndësishme të kujtojmë se ndikimi i Moskës është shumë i ngjashëm me atë të Al-Kaidës apo të vetëquajturit Shteti Islamik.

Ai mund të dobësojë popujt dhe shoqëritë e prekshme, dhe të përçajë sistemet ekzistuese të rendit dhe të autoritetit ndërkombëtar, por s’mund të krijojë një alternativë praktike. Lajmi i mirë këtu është se, pavarësisht sa mjete përdor nga maniali i vjetër i Bashkimit Sovjetik, Rusia nuk do të jetë kurrë në gjendje të ndërtojë një rend botëror të përqëndruar rreth Moskës. (“World Politics Riview”)

Shënim: Steven Metz është autori i librit “Iraku dhe evolucioni i strategjisë amerikane”.